BDI-ja mburret me ligjin e lojërave të fatit, opinioni kritikon

BDI-ja mburret me ligjin e lojërave të fatit, opinioni kritikon

Gazetare: Evi Shkopi

Në tubimin e BDI-së na Çair, nuk munguan mburrjet për siç thanë folësit, arritjet që kjo parti ka pasur gjatë qeverisjes së saj. Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti tha se të gjithë ambasadorët gjatë takimit me të kanë dhënë lëvdata për ministrat e BDI-së dhe punë e tyre. Megjithatë, këto pretendime për sukses vihen në llupën e dyshimit, kur rikujtohet reagimi i ambasadorit austriak se po keqpërdoret flamuri evropian për miratimin e Ligjit për Lojërat e Fatit. Pikërisht ky ligj për u përmend nga Artan Grubi e Talat Xhaferi, të cilët thanë se po përpiqen maksimalisht të përcaktojnë rregullat sipas të cilave duhet të veprojnë dhe lokacionin ku mund të vendosen lojërat e fatit.

“Për ata që nuk e kanë kuptuar, turp na vjen. Kemi dorëzuar ligj të miratuar në Qeveri për t’i larguar kazinotë edhe bastoret 500 euro, më falni 500 metra nga shkollat edhe nga xhamitë. Por, dini me i mbrojt kazinot edhe bastoret, po votojeni ligjin se në parlament e keni. Edhe mbyllni kazinotë edhe bastoret nga objektet fetare edhe nga shkollat”, u shpreh Artan Grubi, zv. kryeministër i parë.
Por të kundërtën thotë Lëvizja Antibixhoz, e cila ka qenë më e zëshmja në kërkesën për dislokimin, madje edhe mbylljen e Lojërave të Fatit.

“Ne kemi kërkuar që ato të jenë 3 km larg nga vendbanimet dhe nga vrasja që ndodhi në Vizbeg ne kemi kërkuar mbylljen. Por për tre vite ky ligj është zvarritur përmes Komisionit për Financa. Ai propozim ka qenë për 500 metra në vijë ajrore, tani ka një modifikim, një lehtësim për lojërat e fatit, edhe pse nuk sjellin fat, por ashtu jua ka mbetur, që është 500 metra në vijë tokësore. Ne nuk e pranojmë këtë ligj, sepse nuk i plotëson kërkesat tona”, tha Jushi Emrullahu- Lëvizja Antibixhoz.

Por bazuar nga reagimet në opinion pas dhënies së dritës jeshile në Qeveri, nuk është kontestuese vetëm dislokimi i Lojërave të Fatit. Një nga nenet kyçe të propozuara të ligjit është që kompensimi i licencës për një bastore të rritet nga 105 mijë euro në 200 mijë kurse numri i pikave të pagesës është gjithashtu i kufizuar dhe me një licencë mund të jenë maksimumi 25 objekte. Secila licencë e radhës do të kushtojë 10 mijë euro shtesë. Ndryshim ka edhe në klubet VLT aparate. Burime për Alsat sigurojnë se qëllimi kryesor i miratimit të këtyre ndryshimeve është hapja e rrugës për hyrjen e një kompanie të re në biznesin e lojërave të fatit, nga Serbia, ku kanë paralajmëruar se do të investojnë disa dhjetëra milionë euro në vend. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button