BDI-ija kërkon tërheqjen e vendimit për Bogoevskin, akuzon qeverinë për përgjegjësi
BDI-ija kërkon tërheqjen e vendimit për Bogoevskin, akuzon qeverinë për përgjegjësi

Gazetare: Fatlume Dervishi
BDI-ja bën thirrje për tërheqjen e menjëhershme të vendimin për zgjedhjen e Petar Bogojeskit drejtor. Vendimin e quan të turpshëm dhe akuzon qeverinë drejtpërdrejt për përgjegjësi për zgjedhjen e tij.
“Emërimi i një personi i cili tërë karrierën e tij publike dhe politike e ka ndërtuar mbi fyerje dhe nënçmime ndaj shqiptarëve, paraqet një provokim të drejtpërdrejtë jo vetëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por edhe për vetë idenë evropiane në vend. Ky akt është një sinjal i qartë: fyerjet ndaj shqiptarëve jo vetëm që nuk sanksionohen, por edhe shpërblehen me pozita shtetërore”, thonë nga BDI.
Reagoi partia Koncepti Maqedonas, lider i të cilës është Bogojeski. Sipas tyre, BDI-ja tregon se agjenda e tyre nuk është bashkëjetesa.
“Të thuash të vërtetën nuk është fyerje për askënd, madje as për shqiptarët. Bogojeski sulmon mashtruesit dhe shovinistët dhe lufton për të drejta të plota civile për të gjitha komunitetet etnike dhe një Kushtetutë të re civile për vendin. BDI është kundër një shteti civil, sepse dëshiron një shtet mafioz për vete”, shprehen nga partia Koncepti maqedonas.
Koalicioni VLEN thotë se ka një qëndrim të qartë lidhur me provokimet e Petar Bogoevski, i cili, sipas tyre, shpesh ndryshon qëndrimet në varësi të interesave personale.
“Është një fyerje tjetër ndaj shqiptarëve kur BDI përpiqet të promovojë idenë se integrimet evropiane të Maqedonisë varen gjoja nga një figurë e tillë. Çështja qëndron në atë se pse BDI-ja para se të turpërohej kështu nuk e pyeti Talat Xhaferin se si Bogojevski ishte këshilltar shtetëror në Ministrinë e Mbrojtjes? Pse BDI-së nuk i kanë penguar qëndrimet e tij anti-shqiptare kur ishin në koalicion zyrtar me Gruevskin dhe Mijallkovin?”, thonë nga VLEN.
Nga VLEN thonë se me gjithë pengesat e krijuara nga regjimi i kaluar, ata do të reformojnë sistemin dhe do të ndërtojnë zgjidhje të qëndrueshme për shqiptarët. Nga kjo parti nuk u përgjigjën nëse do të reagojnë në qeveri për zgjedhjen e Bogojeskit. / Alsat.mk