BDI, vazhdon përplasja për çerdhen në Çair

BDI, vazhdon përplasja për çerdhen në Çair

Gazetare: Fatlume Dervishi

Thellohet hendeku dhe përplasja mes dy grupeve në BDI për meritat e ndërtimit të çerdhes në Çair. Kreu i Komunës së Çairit Visar Ganiu, pjesë e të ashtuquajturit “grupi i zjarrit brenda BDI-së”, duke publikuar një sërë dokumentesh në facebook, thotë se bashkëpartiaku i tij Artan Grubi ka qenë vetëm mysafir i imponuar dhe jo i merituar në vendosjen e gurthemelit të çerdhes. Ai me tej hedh dyshime se mbase Grubi është pikërisht arsyeja që ndërtimi i saj nuk përfundon në afatet e parapara në kontratë.

… të gjitha këto procedura që ne mund bashkërisht t’i verifikojmë kanë përfunduar në kohën kur Artan Grubi nuk ishte as në listën e dëshirave për t’u bërë zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë, sepse ai në këtë funksion erdhi 5 javë më vonë… tani në kohën kur Artan Grubi është zëvendës kryeministër ndërtimi i Çerdhes në Çair po vonohet dhe në vend që të përfundonte më 31.12.2022… ne jemi në muajin shkurt të vitit 2023 dhe çerdhja ende nuk ka përfunduar së ndërtuari. Parashtrohet pyetja përse Artan Grubi kur është në funksion kaq të lartë qeveritar nuk po e përshpejton ndërtimin e Çerdhes në Çair apo edhe ndoshta po e ngadalëson procesin e ndërtimit”, tha Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit.

Grubi nga ana tjetër, nga takimi me qytetarët në Tearcë tha se nuk i merr meritat vetëm mbi vete por se ka qenë ai që ka ndërmjetësuar punën për të filluar ndërtimi i çerdhes dhe shumë projekteve të tjera në Çair.

“Më kujtohet, isha deputet dhe seç kishin kështu fërkime me njëri-tjetrin e nuk flisnin Visari me Bujarin se ishin hidhëruar, ani se Bujari ishte shef shtabi kur u zgjodh (Visari) dhe nga mungesa e komunikimit më marrin mua në telefon të ju ndihmoj unë për çerdhen me Milla Carovskën, me Bujarin, me Arbërin dhe e bëmë, ajo garniturë qeveritare dhe ja vumë gurthemelin pasi u ndryshua qeveria. Po na lindin grupe të ndryshme, një grup që del me barut të lagur, grupe të tjera me kallasha lodër si ata të “Levicës”, grupe proruse, grupe levicare, grupe pro-VMRO, grupe bllokuese, grupe të cilat janë keqpërdoruese, e ne, vëllezër e motra, ky grupi që e shihni këtu përpara, jemi grupi ahmetist”, u shpreh Artan Grubi, zv/kryeministër i parë.

Grupi i zjarrit një ditë më parë ishte në takime me banorët e Lubotenit. Nga atje, nënkryetari Izet Mexhiti thotë se kanë dalë dy ide, peticion kundër Grubit ose protesta.

“Nga ky konak njëzëri na u propozuan dy ide:

  1. Peticion gjithëpopullor Artan LARGOHU!
  2. Tubim të madh protestues!

Çdo iniciativë që vjen nga populli, nuk ka kush e ndal!”, ka shkruajtur Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, kërkoi nga mbështetësit e tij të mos shqetësohen për mendimet ndryshe në BDI.

“Sa i takon ca zhvillimeve, mendimeve ndryshe, mos keni shqetësim fare. Unë i takoj gjeneratës që kemi luftuar, që jemi burgosur, që na kanë torturuar për mendimin ndryshe, për mendimin e lirë. Dhe tani mendimin e lirë e kemi. Por, tani na duhet mendim i mbarë, mendim i përpunuar, mendim që kontribuon për shtyrje të proceseve dhe jo mendime të mbrapshta”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Takimet intensive të të dy grupeve brenda BDI-së me qytetarët kanë filluar rreth tre javë më parë dhe ka njoftime edhe për takime të tjera në periudhën e ardhshme./Alsat.mk

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button