BE do të rikthej fluturimet me avionët Boeing 737 Max?

Bashkimi Evropian (BE) ka në plan që javën e ardhshme të lëshojë leje fluturimi për avionët e pasagjerëve të tipit Boeing 737 Max, të cilat janë ndaluar pas disa aksidenteve fatale, transmeton Anadolu. Patric Ky, drejtori i Agjencisë Evropiane të Sigurisë së Aviacionit (EASA), u prononcua në lidhje me avionët 737 Max të prodhuesit amerikan Boeing, fluturimi i të cilëve u ndalua pas aksidenteve që ndodhën në vitet 2018 dhe 2019 në Indonezi dhe Etiopi.

Patric Ky njoftoi se avionëve Boeing 737 Max do t’u jepet leja e fundit për të rifilluar fluturimin në Evropë javën e ardhshme. Ai deklaroi se çështja se si ndodhën aksidentet është bërë e qartë, duke shtuar se ndryshimet e bëra për të rritur sigurinë e avionit përmbushin kriteret e sigurisë së fluturimit. SHBA dhe Brazili filluan fluturimet komerciale të avionit Boeing 737 Max vitin e kaluar.

Defekti në sistemin e kontrollit të fluturimit kushtoi 346 jetë. Në Indonezi, avioni Boeing “737 Max 8” i Lion Airlines me numrin e fluturimit “JT 610” u rrëzua në det më 29 tetor 2018, pak pasi u ngrit nga Xhakarta për në qytetin Pangkal Pinang në ishullin Sumatra. Aksidenti, në të cilin vdiqën 189 persona, hyri në histori si “aksidenti i parë i këtij lloji të avionëve”.

Ndërkaq, avioni i pasagjerëve të tipit Boeing “737 Max 8” i Etiopian Airlines u rrëzua gjithashtu më 10 mars 2019, menjëherë pas ngritjes nga Addis Ababa për në Nairobi, kryeqytetin e Kenisë, me çka 157 njerëz në bord humbën jetën. Pas aksidentit në Etiopi, shumë vende si Turqia, Kina, Etiopia, Britania, Gjermania, Franca, Holanda dhe Austria, pezulluan operacionet e avionëve të këtij tipi dhe mbyllën hapësirat ajrore për fluturimet e tij. U zbulua që të dy aksidentet ishin shkaktuar nga një mospërputhje e të dhënave midis sensorëve që rregullojnë këndin e ngritjes në avion.

LEXO EDHE:

Back to top button