BE-ja dështon të miratojë pakon e re të sanksioneve kundër Rusisë

BE-ja dështon të miratojë pakon e re të sanksioneve kundër Rusisë

Liderët evropianë kanë dështuar të dakordohen rreth pakos më të fundit të sanksioneve (të 18-të) kundër Rusisë në takimin e mbrëmshëm të Këshillit Evropian në Bruksel, teksa shtetet si Hungaria dhe Sllovakia votuan kundër masave të propozuara, ka raportuar The Guardian.

Në veçanti, këto dy vende kundërshtuan një propozim të ndarë të BE-së për të sanksionuar importet e energjisë.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka thënë në orët e vona të së enjtes se Sllovakia dhe Hungaria ishin “një ekip”, tek ka këmbëngulur se të dyja shtetet “nuk do ta pranojnë këtë propozim të BE-së, që na ndalon të blejmë gazin dhe naftën nga Rusia”.

E brenda natës, është raportuar se Rusia ka lëshuar mbi 350 dronë dhe tetë raketa në drejtim të Ukrainës, duke shënjestruar kryesisht qytetin perëndimor të Starokostiantyniv, ku ndodhet njëkohësisht një bazë e rëndësishme ajrore e ushtrisë së Ukrainës.

Mes tjerash, liderët e BE-së u pajtuan sa i përket qasjes së tyre lidhur me bisedimet tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se blloku evropian është i gatshëm për marrëveshje.

“Mesazhi jonë sot është i qartë, ne jemi gati për një marrëveshje”, ka thënë Von der Leyen.

Shefja e trupit ekzekutiv të BE-së ka paralajmëruar gjithashtu se vendet anëtare janë të përgatitura edhe për skenar të tjerë, siç mund të jetë ai i dështimit të marrëveshjes.

“Në të njëjtën kohë, ne po përgatitemi për mundësinë që të mos arrihet një marrëveshje e kënaqshme… dhe do të mbrojmë interesin evropian sipas nevojës. Shkurt, të gjitha opsionet mbeten në tryezë”, ka shtuar ajo.

LEXO EDHE:

Back to top button