BE pajtohet për rihapjen e kufijve

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan të mërkurën për rihapjen e kufijve të bllokut për udhëtarët jashtë BE-së, që janë vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit, thanë burimet të REL në Bruksel.

Rekomandimi, i bërë më herët nga Komisioni Evropian, vlen vetëm për të vaksinuarit me vaksina të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).

EMA, deri më tash, ka miratuar vaksinat e kompanive Pfizer/BioNTech, Moderna, Johnson & Johnson dhe AstraZeneca.

Diplomatët u pajtuan edhe për rritjen e nivelit të rasteve të reja me koronavirus, që një vend mund t’i shënojë, përpara se të shpallet i pasigurt.

Numri i rasteve në 100,000 banorë, që mund t’i shënojë një vend brenda dy javësh dhe të konsiderohet i sigurt, do të rritet nga 25 në 75.

Burimet thanë se rekomandimet do të miratohen nga ministrat e BE-së të premten.

Aktualisht, udhëtimet jothelbësore në BE nga të ashtuquajturat vende të treta – ku bën pjesë edhe Ballkani – janë të ndaluara.

Këto kufizime janë vendosur qysh në mars të vitit të kaluar, kur edhe ka shpërthyer pandemia e koronavirusit.

LEXO EDHE:

Back to top button