BE shqyrton zgjerimin e bllokut përballë situatës gjeopolitike
BE shqyrton zgjerimin e bllokut përballë situatës gjeopolitike

Komisionerja e Bashkimit Evropian për zgjerimin, Marta Kos tha sot se procesi i anëtarësimit të shteteve të reja në këtë bllok ishte bërë “edhe më i vështirë” përkundër luftës në Ukrainë, e cila i detyroi shtetet anëtare të mendojnë për zgjerimin e tij. Ajo i bëri këto komente në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës ku bashkë me kryeministrat e Kroacisë, Malit të Zi dhe Ministrin e Jashtëm të Ukrainës, dy shtete kandidate për t’u anëtarësuar në BE, debatuan për procesin e anëtarësimit përballë luftës së Rusisë në Ukrainë dhe situatës së ndryshuar gjeopolitike në Evropë.
Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos tha të mërkurën se kriteret për pranimin e anëtarëve të rinj në këtë bllok, që lidhen me sundimin e ligjit, ishin bërë më të ndërlikuara në kontekstin aktual të një bote që po ndryshon.
“Metodologjia u ndryshua në vitin 2020. Mali i Zi dhe Ukraina e dinë se procesi negociues për kapitullin e sundimit të ligjit është bërë edhe më i vështirë. Dekada e fundit nuk ishte as e mirë dhe as e suksesshme sa i përket zgjerimit”, tha ajo.