Befason Man. Junajted, kërkon të rikthejë sulmuesin portugez

Skuadra e Man. Junajtedit është në bisedime me skuadrën e Atletiko Madridit për të sjellë në “Old Traford” sulmuesin e talentuar portugez Zhoao Feliks. Lojtari luajti 6 muajt e fundit të sezonit të kaluar në Angli me skuadrën e Çellsit, në formë huazimi, por në fund “blutë” e Londrës vendosën ta kthejnë mbrapsht në Madrid.
Tek Atletiko nuk e dëshirojnë lojtarin, që po stërvitet me Akademinë, andaj propozimi për të ardhur te Man. Junajtedi duket më i miri. Edhe në janar “Djajtë e Kuq” e kërkuan ZHoao Feliksin, që në fund zgjodhi të luajë me Çellsin, ku realizoi 4 gola në 16 ndeshje në kampionat.
“The Sun” raporton se Horhe Mendes, menaxheri i lojtarit, është duke biseduar me drejtuesit e Man. Junajted, ndërkohë që për Zhoao Feliks janë interesuar edhe PSZH, Njuaksëll e Aston Villa. Gjithsesi, “Djajtë e Kuq” duken më të favorizuar, pasi janë në kërkim të një sulmuesi.
Nëse portugezi do të pranojë ofertën angleze atëherë do të shihet edhe formula e transferimit të tij. Atletiko dëshiron ta shesë përfundimisht kartonin por edhe dhënia në formë huazimi është një opsion i mirë, ndaj klubet po punojnë në këtë drejtim, për ta mbyllur marrëveshjen brenda javës.