Befason Vershtapen: E shoh veten pranë fundit

Maks Vershtapen prej kohësh vazhdon të theksojë se nuk do të vonojë shumë për t’u tërhequr nga Formula 1, deklarata që tingëllojnë disi si provokim, duke qenë se holandezi është vetëm 28 vjeç. Megjithatë, një gjë është e sigurt, ai ka kontratë me Red Bull Racing deri në vitin 2028.

“Pa dyshim, e shoh veten pranë fundit. Do të thosha se rregullorja e re nuk po ndihmon në zgjatjen e karrierës sime në Formula 1, por nuk ka rëndësi. Jam i lumtur me rrugëtimin tim dhe mund ta lë pas me lehtësi, pasi kam projekte të tjera”, është shprehur katër herë kampioni i botës në podkastin “Up to Speed”.

Planet e tjera të Maksit përfshijnë garën legjendare “24 Hours of Nurburgring”, ku mund të marrë pjesë me ekipin e tij GT3, si dhe nuk përjashtohet që një ditë të garojë edhe në “24 Hours of Le Mans”.

Nga ana tjetër, ylli i Holandës ka theksuar sërish një ide që e ka shprehur disa herë më parë.

“Kujt i intereson kur të jesh 60 apo 70 vjeç nëse ke fituar 4 apo 10 tituj? Po rritem dhe preferoj të kaloj kohë me familjen para se ata të mos jenë më. Me kalimin e kohës e kam kuptuar këtë gjë. Kohët e fundit isha duke bërë ski me disa miq të mirë dhe me familjen time dhe kuptova sa fantastike ishte të kalonim disa ditë bashkë, të vlerësonim jetën. Dua të jetoj jetën time, jetohet vetëm një herë. Nuk dua të kaloj 25 vite vetëm duke drejtuar një makinë garash, dua të shijoj atë që ka jashtë. Ndoshta tingëlloj dramatik, por nuk dua të jetoj vetëm për të garuar”, ka shtuar Verstapen.

LEXO EDHE:

Back to top button