Bekam kërkon të krijojë “El Clasico” tek Inter Majami

Skuadra e Inter Miami ka siguruar transferimin e Lionel Mesit e Serhio Buskets për sezonin e ri, por ekipi amerikan nuk ka ndërmend të ndalet këtu. Sipas mediave britanike, Dejvid Bekami synon të sjellë te skuadra e tij të tjerë yje të futbollit botëror që kanë luajtur në Spanjë.

Bëhet fjalë për mbrojtësin 34-vjeçar spanjoll Zhordi Alba, i larguar këtë verë nga Barcelona, mesfushorin 32-vjeçar belg Eden Hazard, që do të lërë Real Madrid dhe mesfushorin 39-vjeçar spanjoll Andre Iniesta, që mbylli karrierën e tij në Japoni.

Sipas “Daily Mirror”, skuadra amerikane, që luan në MLS (Major Soccer League), ka nisur bisedimet me të tri këta lojtarë. Më të avancuara janë bisedimet me Zhordi Alba, që mund të mbyllë marrëveshjen që këtë javë. Ndërsa për Hazard dhe Iniesta bisedimet janë në fazë të avancuar, por ende nuk ka asgjë konkrete.

Duket se Bekam kërkon të krijojë një mini “el clasico” te skuadra e tij e Inter Miami, duke sjellë yje të ekipeve të Real Madrid e Barcelona. Prej kohësh kanë nisur bisedimet edhe me mbrojtësin spanjoll Serhio Ramos, që dikur ka luajtur me Real Madrid e që këtë verë mbylli aventurën me PSZH-në.

LEXO EDHE:

Back to top button