Bekim Maksutit i zgjatet paraburgimi edhe për 30 ditë të tjera
Bekim Maksutit i zgjatet paraburgimi edhe për 30 ditë të tjera

Gazetare: Fatlume Dervishi
Paraburgimi i Bekim Maksutit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, njërit prej të ndaluarve për zjarrin në diskotekën Puls në Koçan, është zgjatur edhe për 30 ditë të tjera. Ndërkohë, tre ish-ministrat e ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, Valon Saraçini dhe Bekim Neziri, janë në arrest shtëpiak.
BDI-ja ka reaguar në vazhdimësi duke akuzuar për hetime dhe drejtësi selektive. Arrestimet i ka quajtur të paligjshme. Megjithatë, kjo parti nuk i ka mbrojtur njëjtë të gjithë funksionarët e saj. Në të gjitha reagimet e deritanishme, BDI-ja ka mbrojtur në vazhdimësi Bekteshin duke e theksuar vazhdimisht rolin dhe pafajësinë e tij, por jo edhe Maksutin. Emri i ish drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim nuk përmendet në asnjërën nga komunikatat dhe reagimet që u dërguan që në ditët e para të arrestimeve.
Tre ish-kryetarët e bashkisë së Koçanit janë gjithashtu nën arrest shtëpiak, si dhe disa oficerë policie dhe shefa policie në Koçan. Deri më tani, hetimi ka përfshirë 59 të dyshuar, nga të cilët 19 janë në paraburgim efektiv, 13 nën arrest shtëpiak, 12 nën masa paraprake dhe një po i nënshtrohet trajtimit mjekësor.
Hetimi për Коçanin mund të zgjasë e shumta deri më 17 qershor. Deri atëherë duhet të ketë aktakuzë nga prokuroria. /Alsat.mk