Etrit Berisha mund të quhet një lojtar i Torinos. Portieri i kombëtares së Shqipërisë, ka zbarkuar në qytetin piemontez për të kryer vizitat e zakonshme mjekësore në qendrën e mjekësisë sportive, e cila ndodhet në brendësi të stadiumit “Olimpico” në Torino.
Akordi është arritur prej kohësh teksa mungon zyrtarizimi, i cili mund të vijë gjatë orëve të ardhshme. Gardiani kuqezi lë skuadrën e SPAL-it pas dy sezonesh për t’u transferuar tek skuadra e Torinos me parametra zero.
32-vjeçari e njeh mjaft mirë Serinë A, pasi aty ka mbajtur veshur fanellat e Lacios dhe Atalantës, gjithashtu edhe të SPAL-it kur militonte në elitën e futbollit italian.








