Berisha reagon pas protestës pranë Parlamentit: Policia ushtroi dhunë ndaj qytetarëve, të lirohen të shoqëruarit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas incidenteve të shënuara këtë të martë jashtë godinës së Parlamentit, ku u zhvillua një protestë qytetare.

Përmes një deklarate për mediat, Berisha dënoi atë që e cilësoi si dhunë të ushtruar nga Policia e Shtetit ndaj protestuesve, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të personave të shoqëruar.

“Dënoj me ashpërsinë më të madhe dhunën dhe arrogancën e Policisë së Shtetit ndaj qytetarëve që protestojnë. Është e papranueshme që, ndërsa në Parlament shërbëtorët e Edi Ramës përpiqen të zhvlerësojnë protestën madhështore të shqiptarëve, në rrugë dërgojnë policinë për t’i dhunuar ata që kërkojnë të dëgjohen”, thuhet në deklaratën e Berishës.

Sipas kreut të PD-së, përdorimi i forcës ndaj protestuesve tregon, sipas tij, frikën e qeverisë përballë qytetarëve.

“Kur një qeveri nuk i përgjigjet qytetarëve me argumente, por me forcë, ajo tregon frikë, jo fuqi. Dhuna ndaj protestuesve paqësorë dhe përpjekjet për të heshtur zërin e tyre janë shenja të qarta të arrogancës së pushtetit dhe të një regjimi që po humbet legjitimitetin në sytë e qytetarëve”, deklaroi Berisha.

Në përfundim të reagimit të tij, kreu i Partisë Demokratike kërkoi lirimin e menjëhershëm të protestuesve të shoqëruar nga policia./Euronews.

LEXO EDHE:

Back to top button