Bërnjarcë, banorët kërkojnë që fëmijët e tyre të ndjekin mësimin në shkollën e fshatit

Rreth 15 fëmijë të fshatit Bërnjarcë të komunës së Gazi Babës ende mbeten të paregjistruar në klasë të parë. Prindërit e tyre kanë vendosur të mos i regjistrojnë fëmijët në shkollë derisa komuna e Gazi Babës nuk lejon ë gjithë nxënësit të mësojnë në shkollën periferike “Kërste Misirkov” të këtij fshati. Rreth 60 nxënës të këtij fshati mësimet i ndjekin në dy shkollat e Haraçinës dhe bëjnë rrugë në këmbë deri në 3 kilometra.
Unë, për momentin djalin e kam akoma pa regjistruar, presim se do ta regjistrojmë te kjo shkolla këtu. Fëmija, për shembull 6 vjet, ende pa u rritur të rrugëtoj dy kilometra e gjysmë është shumë vështirë po çfarë të bëjmë – tha Ekrem Saliu, këshilli i prindërve të fshatit Bërnjarcë.
Përveç shqetësimeve të prindërve edhe fëmijët tregojnë vështirësitë me të cilat përballen çdo ditë gjatë vajtje-ardhjes nga shkolla në Haraçinë.
“Shumë keq, na sulmojnë qentë, frikësohemi, duhet ta kalojmë rrugën kryesore, makinat na godasin, shumë keq. Dëshirojmë të mësojmë të ajo shkolla në Bërnjarc se është shumë afër“.
“Shkolla është shumë larg prej këtu. Ka shumë makina që vozisin shpejt. Kur bie shi dhe borë e kemi më problem”.
Drejtori i shkollës fillore “Skënderbeu” në Haraçinë tha se komuna e Gazi Babës është ajo që vendos për fatin e fëmijëve. Siç tha ai, nga kjo shkollë tashmë kanë kryer të gjitha përgatitjet për të zhvilluar procesin mësimor edhe në shkollën e Bërnjarcës.
Pse të kalojnë mbi 2.5 kilometra ose 3 edhe të vijnë te shkolla e jonë, kur është shkolla atje, është e lirë. Ne jemi përgatitur, me gjithë financimin tonë që do të jetë edhe mes arsimtarëve dhe kolegëve do ti dërgojmë prej shkollës tonë atje, edhe nëse na jepet mundësia edhe të kombinuar vetëm e vetëm mos të maltretohen fëmijët – deklaroi Azem Aki, drejtor i Sh.f “Skënderbeu” Haraçinë.
Edhe kësaj radhe nga Komuna e Gazi Babës nuk u përgjigjën për të sqaruar nëse pajtohen që shkolla periferike në fshatin Bërnjarcë t’i jepet në shfrytëzim shkollës së Haraçinës. Në shkollën periferike në fshatin Bërnjarcë mësojnë vetëm 8 nxënës në paralelet në gjuhën maqedonase. Pasi përfundimit të mësimit të këtyre nxënësve shkolla mbyllet ndërkohë që rreth 60 nxënës të tjerë që jetojnë në këtë fshat detyrohen që mësimet t’i ndjekin në shkollat e Haraçinës.
Melihate Rustemi