Besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin

Besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin

Gazetar: Adnan Qaili

Mëngjesi i sotshëm myslimanët i gjeti të rreshtuar në safe, në të gjitha xhamitë e vendit. Më të moshuarit, u lanë në rendet e para, brenda objektit sa për respekt aq edhe nga fresku i hershëm i ditës. Çdo kryefamiljar i veshur me rrobat më të mira, në mënyrë solemne falën namazin e Fitër Bajramit.

Falja qendrore e Bajramit u zhvillua në Xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup, e cila ishte e vogël për të nxënë të gjithë brenda. Për shkak të interesimit të madh, shumë besimtarë u falën në oborrin e xhamisë. Kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetai dha mesazhet e dashamirësisë nga hydbeja.

Besimtarë të nderuar, vëllezër e motra, në këto ditë të gëzimit të Fitër Bajramit, me zemra të pastra i drejtohemi Allahut të gjithë mëshirshëm që të na jep fuqinë e iman, mundësinë e largimit nga e keqja, guximin e faljeve dhe pajtimit, buzëqeshjet e të tjerëve, për të kultivuar një të ardhme të përbashkët dhe më të ndritur, për të krijuar mundësinë dhe kushte më të mira në shoqërinë tonë, me qëllim që të ndërpritet trendi i migrimeve ekonomike”, tha Reis Shaqir Fetahu, Kryetar i BFI-së.

Fetai foli për mediat edhe pas faljes së namazit të Fitër Bajramit.

“Lëshuan lutje për falje nga i Madhi Zot. Flijuan trupin e tyre, shpirtin e tyre dhe pasurinë e tyre për të qenë në shërbim të njerëzve në përgjithësi, e në veçanti në shërbim të atyre, të cilët kanë nevojë në jetën e përditshme. Gjatë tërë muajit të Ramazanit, besimtarët lidhën zemrat njëri me tjetrin, afruan dhe u pajtuan në mes tyre, në emër të Allahut fuqiplotë dhe lëshuan ndjenjën e paqes, tolerancës, solidaritetin dhe lutjen për vetveten e tyre, për familjet e tyre dhe për të gjithë njerëzit në përgjithësi”, shtoi Reis Shaqir Fetahu, Kryetar i BFI-së.

Fitër Bajrami vjen pas pas përfundimit të Muajit të Ramazanit, gjatë të cilit besimtarët për 29 ditë agjëruan nga lindja e diellit deri në perëndim. Si një nga 5 shtyllat kryesore të Islamit forcon lidhjen me Allahun. Sakrifica e etjes dhe urisë sipas tyre ka të bëjë edhe me ballafaqimin e realitetit të të varfërve, të cilëve u dhurojnë fitrat. Kjo nënkupton që skamnorëve u jepen ndihma në të holla dhe mjete sipas nevojës në mënyrë simbolike për të pasur një vit të begatshëm dhe me shëndet. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button