Beteja e rrjeteve sociale me keqinformimin

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezultati i të cilave ende nuk është certifikuar, ishin ndër më të polarizuarat. Kompanitë e rrjeteve sociale si Twitter dhe Facebook po përdorin mënyra të ndryshme për të parandaluar keqinformimin përmes platformave të tyre. Michelle Quinn sjell më shumë hollësi rreth këtyre masave.

- Advertisment -

Në këto zgjedhje të polarizuara, kompani si Facebook, Twitter dhe LindkedIn janë në një betejë me dezinformatat.

“Po shohim shtim të pretendimeve për manipulim të votave, thirrje për dhunë, protesta ose thirrje për të luftuar komplotet që thjesht nuk janë të vërteta. Kjo është e rrezikshme. Është një urgjencë demokratike dhe ne jemi të alarmuar nga këto pretendime të rreme, që vazhdojnë të ndajnë popullin amerikan duke çuar në kolaps besimin tek institucionet tona”, thotë Fadi Quran, drejtor fushate në organizatën Avaaz.

Twitter po përpiqet të pengojë përhapjen e keqinformimit duke etiketuar postime të ndryshme.

Facebook po etiketon po ashtu postimet duke orientuar përdoruesit në faqen e tyre zgjedhore. Javen e kaluar, kompania fshiu grupin “Ndaloni vjedhjen” i cili bente thirrje për protesta kundër numërimit të votave.

Platforma Youtube që është në pronësi të kompanisë Google, po vë etiketa në disa video, por po lejon disa të tjera që hedhin pretendime e që duket se bien ndesh me politikat e tyre.

Të dhëna të gabuara lidhur me numërimin e votave postohen gjithashtu në spanjisht. Një nga postimet thoshte se Presidentit Donald Trump po i vidhet fitorja.

Këto masa tregojnë gatishmërinë e kompanive të internetit për të ndërhyrë kundër shpërdorimit të fakteve, edhe kur flasin njerëz të njohur. Ekspertët thonë se këto përpjekje janë të rëndësishme sepse rrisin besimin e qytetarëve në rezultatet përfundimtare.

“Sa më shumë që pengohen këto fushata keqinformimi që godasin amerikanët, aq më shumë rritet besimi se sistemi vërtetë po punon për ne, sepse në fund të ditës ne jemi ata që zotërojmë sistemin. Ne jemi një qeveri e njerëzve, nga njerëzit, për njerëzit. Prandaj meritojmë transparencë“, thotë Theresa Payton, ish-zyrtare e informacionit në Shtëpinë e Bardhë.

Përkundër masave, disa zëra thonë se kompanitë e internetit duhet të bëjnë më shumë.

“Për të gjithë ata që kanë pëlqyer ose janë lidhur me informacion të gabuar para se Facebook t’i vendosë etiketën, duhet t’u dërgohet një korigjim duke thënë se ‘na vjen keq’. Ne kemi gjetur se këto janë pretendime të rreme”, thotë fadi Quran, drejtor fushate në organizatën Avaaz.

Një gjë është e qartë. Në këtë epokë të përhapjes gjerësisht të medias sociale, faqet e internetit do të vazhdojnë të sjellin informacione të vërteta dhe të rreme.

LEXO EDHE:

Back to top button