Biden dëshiron të bllokojë çipat e inteligjencës artificiale, gjigantët e teknologjisë mendojnë se është shumë e rrezikshme

Kabineti i presidentit amerikan Joe Biden duhet të përmbahet nga futja e rregulloreve që do të kontrollonin aksesin e botës në çipat e inteligjencës artificiale përpara përfundimit të mandatit të tij, pasi kjo mund të kërcënojë rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në atë sektor, ka paralajmëruar një shoqatë e kompanive teknologjike.

Urdhri ekzekutiv mund të shpallet që të premten dhe do të vendosë kufizime arbitrare për kompanitë amerikane që shesin sisteme kompjuterike jashtë vendit, duke e lënë tregun global të hapur ndaj konkurrencës, sipas Këshillit të Industrisë së Teknologjisë së Informacionit (ITI), i cili përfaqëson kompani si Amazon, Microsoft dhe Meta.

Në dhjetor, Reuters, duke cituar burime të paidentifikuara, raportoi se Departamenti i Tregtisë i SHBA-së dëshironte t’u jepte kompanive si Google dhe Microsoft një rol “portier” mbi aksesin në çipat e AI globalisht.

Për të siguruar këtë pozicion, kompanitë do të duhet të plotësojnë kushte strikte, duke përfshirë sigurimin e informacionit kyç për qeverinë amerikane dhe bllokimin e aksesit kinez në çipat e inteligjencës artificiale, raportoi Reuters në dhjetor.

Rregulloret e reja tregojnë se zyrtarët qeveritarë, para përfundimit të mandatit të tyre, duan të thjeshtojnë procedurën për marrjen e licencës për eksportin e çipave të AI, duke bllokuar njëkohësisht aksesin e disa vendeve në ato produkte, shkruan Reuters.

Përjashtime parashikohen për 19 vende aleate, si Holanda, Japonia dhe Tajvani, për shembull, të cilat do të kishin akses të pakufizuar në çipat e inteligjencës artificiale ose aftësitë që ato ofrojnë, thanë burimet.

Qasja do të mbetej e pamundur për grupin e vendeve me një “embargo bërthamore”, si Rusia, Kina, Irani dhe Venezuela, të cilat edhe tani nuk mund të blejnë gjysmëpërçues amerikanë për inteligjencën artificiale.

Shoqata e kupton argumentin e qeverisë për sigurinë kombëtare, por “rreziqet e mundshme për lidershipin global të SHBA në fushën e inteligjencës artificiale janë reale dhe duhet të merren seriozisht,” thanë ata.

“Rregullorja e re do të hyjë në histori si një nga rregulloret më shkatërruese për sektorin amerikan të teknologjisë”, tha zëvendëspresidenti ekzekutiv i Oracle, Ken Glueck.

LEXO EDHE:

Back to top button