Biden: Gjendja në Mianmar, sulm i drejtpërdrejtë ndaj tranzicionit drejt demokracisë

Presidenti i SHBA Joe Biden tha se gjendja në Mianmar është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj tranzicionit të vendit drejt demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Presidenti Biden i bëri komentet të hënën pas njoftimeve të Televizionit të Mianmarit të drejtuar nga ushtria se ajo po merrte kontrollin e vendit nën një gjendje të jashtëzakonshme, për shkak të mungesës së veprimit mbi pretendimet e ushtrisë për mashtrime në zgjedhjet e nëntorit.

Zoti Biden i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ushtrojë trysni ndaj ushtrisë së Mianmarit që të heqë dorë nga pushteti, të lirojë të arrestuarit, të heqë kufizimet e telekomunikacionit dhe të frenohet nga dhuna ndaj civilëve.

“Shtetet e Bashkuara i hoqën sanksionet ndaj Mianmarit gjatë dekadës së fundit bazuar në përparimin drejt demokracisë,” tha zoti Biden në një deklaratë. “Përmbysja e këtij përparimi do të kërkojë një rishikim të menjëhershëm të ligjeve dhe autoriteteve tona të sanksioneve, të ndjekura nga veprimet e duhura,” tha ai.

Udhëheqësja de facto e Mianmari, Aung San Suu Kyi dhe zyrtarë të tjerë të partisë në pushtet u arrestuan në një operacion që ngriti shqetësime për një grusht shteti. Veprimet u kryen në të njëjtën ditë kur parlament i ri pritej të fillonte punimet.

Aung San Suu Kyi dhe presidenti Win Myint, u ndaluan herët të hënën, tha zëdhënësi i partisë në pushtet, Lidhja Kombëtare për Demokraci.

“Dua t’u them njerëzve tanë të mos përgjigjen me nxitim dhe dua që ata të veprojnë në përputhje me ligjin,” tha zëdhënësi Myo Nyunt të hënën, pak para se të arrestohej gjithashtu.

“Me aq sa dimë, të gjithë njerëzit e rëndësishëm janë arrestuar nga ushtria”, tha ai. “Pra, tani mund të themi se është grusht shteti. Në Naypyidaw, Aung San Suu Kyi dhe presidenti Win Myint janë arrestuar, kështu dëgjova. Por, ne nuk jemi të sigurt për anëtarët e parlamentit, por mund të supozojmë se edhe ata janë arrestuar”.

Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se “Shtetet e Bashkuara janë të alarmuara nga raportet se ushtria e Burmës ka ndërmarrë hapa për të penguar tranzicionin demokratik në vend”, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara i kërkojnë “ushtrisë dhe të gjitha palëve të tjera t’u përmbahen normave demokratike, sundimit të ligjit dhe lirimin e të arrestuarve”.

“Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë çdo përpjekje për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të fundit ose për të penguar tranzicionin demokratik në Mianmar dhe do të marrin masa kundër atyre që janë përgjegjës nëse këto hapa nuk anulohen”, thuhet në deklaratë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shtoi se Shtetet e Bashkuara “qëndrojnë me popullin e Burmës në aspiratat e tyre për demokraci, liri, paqe dhe zhvillim” dhe i bëri thirrje ushtrisë që të anulojë menjëherë veprimet e saj.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i bëri thirrje udhëheqjes ushtarake të Mianmarit për zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje përmes dialogut paqësor, ndërsa dënoi me forcë arrestimin e zonjës presidentit U Win Myint dhe udhëheqësve të tjerë politikë në prag të sesionit të ri të parlamentit të Mianmarit.

LEXO EDHE:

Back to top button