Biden: Kaosi në Afganistan i pashmangshëm pas largimit tonë
Presidenti amerikan, Joe Biden deklaroi se kaosi do të ishte i pashmangshëm në Afganistan sapo Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën të largoheshin, pas dy dekadash lufte.
“Afganistani kishte një qeveri, lideri i saj hipi në një aeroplan dhe shkoi në një vend tjetër, trupat që kishim stërvitur pësuan kolaps dhe 300 000 prej tyre lanë armët dhe u larguan…, kjo ishte thjesht ajo që ndodhi”, tha Biden për ABC News.
Ndërkohë, liderët ushtarakë amerikanë thanë se nuk ishin në dijeni të ndonjë raporti apo skenari nga shërbimet sekrete, që mund të kishin parashikuar që ngjarjet të zhvilloheshin kaq shpejt.
“Nuk pashë asgjë që tregonte një kolaps të kësaj ushtrie dhe kësaj qeverie për 11 ditë”, tha shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, gjeneral Mark Milley, në një konferencë shtypi.
“Afati kohor i kolapsit u vlerësua gjerësisht dhe shkonte nga javë në muaj dhe madje në vite pas largimit tonë”, tha Milley.
“Nuk ka raporte që thonë se unë kam qenë në dijeni se një forcë sigurie prej 300 000 vetësh do të avullonte për 11 ditë”, shtoi gjenerali.
Media amerikane ka cituar burime të shërbimeve sekrete që thonë se administrata e Biden kishte marrë paralajmërime për një kolaps të mundshëm shumë të shpejtë.
Biden tha se disa trupa amerikane mund të qëndrojnë në Afganistan pas 31 gushtit.
“Nëse kanë mbetur qytetarë amerikanë, ne do të qëndrojmë derisa t’i nxjerrim të gjithë jashtë”, tha Biden kur iu kërkua me ngulm nga intervistuesi, George Stephanopoulos.
Biden këmbënguli se SHBA do të përpiqen të nxjerrin të gjithë qytetarët dhe aleatët amerikanë nga vendi para afatit.
Biden tha se midis 10 000 dhe 15 000 shtetas amerikanë ishin ende në vend.
SHBA ka rreth 4 500 ushtarë në aeroportin e Kabulit dhe planifikon ta rrisë numrin në 6 000 së shpejti.








