Blinken në Tel Aviv: Izraeli ka të drejtë të mbrohet
Blinken në Tel Aviv: Izraeli ka të drejtë të mbrohet

Gazetar: Shkelzen Aqifi
Ushtria izraelite tha se sulmet gjatë natës kishin në shënjestër forcat elitare të Hamasit, Nukhba, duke përfshirë qendrat komanduese të përdorura nga luftëtarët që sulmuan Izraelin të shtunën. Ministria e Brendshme e drejtuar nga Hamasi tha se sulmet izraelite shkatërruan dy shtëpi shumëkatëshe pa paralajmërim, duke vrarë dhe plagosur “një numër të madh” njerëzish, kryesisht civilë. Hamasi ka kërcënuar se do t’i vrasë pengjet izraelitë nëse Izraeli godet civilët palestinezë pa paralajmërim.
Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken qëndron në Tel Aviv. Në konferencën e përbashkët me Netanjahun, Blinken tha se Hamasi nuk përfaqëson palestinezët dhe se ka vetëm një agjendë, të shkatërrojë Izraelin.
“Kushdo që kërcënon paqen dhe drejtësinë, duhet të dënohet. Ne e dimë që Hamasi nuk përfaqëson njerëzit palestinezë, apo edhe shpresat e tyre për të vijuar me masa të njëjta me liri, mundësi, dinjitet. Hamasi, në vend që të promovojë mirëqënien e popullit të tij, qeverisë, me terror, sulmon me raketa. E dimë që Hamasi nuk i ka kryer krimet barbare duke pasur mendjen te njerëzit e Palestinës. Hamasi ka vetëm një agjendë, të shkatërrojë Izraelin, asnjë vend nuk mundet apo duhet të tolerojë vrasjen barbare të qytetarëve. Izraeli ka të drejtë që të mbrojë veten e tij”, deklaroi Antoni Blinken, Sekretar Amerikan i Shtetit.
Benjamin Netanyahu sulmoi Hamasin, duke thënë se organizata është “armik i qytetërimit”.
“Vrasja e të rinjve në një festival muzikor në natyrë, masakrimi i familjeve të tëra, vrasja e prindërve para fëmijëve dhe vrasja e fëmijëve para prindërve, djegia e njerëzve të gjallë, prerja e kokës, rrëmbimi i të rinjve, janë këto mizori që ka kryer Hamas”, tha Benjamin Netanjahu, Kryeministër i Izraelit.
Këshilli Norvegjez për Refugjatë i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për krijimin e korridoreve dhe pauzave humanitare, në mënyrë që të jetë i mundur dërgimi i ndihmave humanitare në Gaza. Më herët gjatë ditës, ministri i Energjisë i Izraelit, Israel Katz, tha se rrethimi i Rripit të Gazës nuk do të përfundojë derisa Hamasi t’i lirojë të gjitha pengjet izraelite. Izraeli e nisi rrethimin e Rripit të Gazës të hënën, dy ditë pasi militantët e Hamasit i thyen barrierat kufitare dhe u futën në jug të Izraelit për ta kryer njërin prej sulmeve më vdekjeprurëse në historinë e Izraelit. /Alsat.mk