Blinken shprehu “dyshime serioze” për rezultatet e zgjedhjeve në Venezuelë
Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shprehur “dyshime serioze” për saktësinë e rezultateve të zgjedhjeve në Venezuelë sipas të cilave presidenti aktual Nicolas Maduro është shpallur president.

“Ne kemi frikë seriozisht se rezultati i shpallur nuk pasqyron vullnetin apo votën e popullit venezuelian”, tha Blinken në një konferencë shtypi në Japoni, ku po merr pjesë në një konferencë ndërkombëtare.
“Është e domosdoshme që çdo votë të numërohet në mënyrë të drejtë dhe transparente dhe që zyrtarët zgjedhorë të ndajnë menjëherë informacionin me opozitën dhe vëzhguesit e pavarur dhe që autoritetet zgjedhore të publikojnë rezultatet e detajuara të votimit,” tha Blinken.
Ai shtoi se “komuniteti ndërkombëtar” po monitoron nga afër situatën dhe do të reagojë në përputhje me rrethanat.