“Bllagoja Toska”, banorët ankohen për mos përfundimin e rrugës
“Bllagoja Toska”, banorët ankohen për mos përfundimin e rrugës

Gazetar: Bashkim Sulejmani
Banorët të cilët jetojnë në rrugën “Bllagoja Toska” në Tetovë ankohen për mos përfundimin e rrugës, gjë për të cilën Komuna fajëson kompaninë që ka marrë për obligim të ndërtojnë rrugën. Nga kompania “Anrra” thonë se realizimi i projektit ka hasur në disa pengesa juridike.
“Ka më shumë se pesë vite që kjo rrugë ka nisur të ndërtohet, ndërkohë që, banorët e presin më shumë se tre dekada. Punimet fillojmë dhe mbeten në gjysmë, lihen kështu siç e shihni pas meje. Faji mbetet jetim. Komuna e hedh tek firma e firma tek komuna, madje edhe padisin njëra tjetrën, ndërkohë që pluhurin baltën dhe papastërtitë në këtë rrugë, e pësojnë banorët”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.
“Jo jo, as dritare asgjë s’mund të hapim. Pika e parë shëndetin na dëmton shumë. Pluhur kemi natë e ditë pa ndalë. Pastaj edhe kultura e vozitësve është zero. Shohin se si është rruga shpejtësinë se ndalin. Kjo ka një muaj e gjysmë që ka mbet kështu puna, ndërsa ka nisur të ndërtohet që në 2001, s’u bë asgjë, hyri BDI edhe ato asgjë, tash e mori Bilalli u bë kjo pjesë u rregullua pak por sërish mbeti në gjysmë”, tha një banor.
“Pluhur sa të duash, na mbyti pluhuri. Duhet të rregullohet kjo, e kanë nisur por kur do e kryejnë nuk dihet. Afatin na thanë më herrët por asgjë. Çka bëhet ata e dinë”, tha një tjetër banor.
Nga komuna thonë se kompania që ndërton rrugën po vonon punët. Thonë se i kanë dërguar vërejtje me shkrim.
“ka nisur procedura konform ligjit e kontratës, për masat e nevojshme që duhet të merren për vonesat për ndërtimin e bulevardit Bllagoja Toska. Mbikëqyrësit kanë qenë në terren dhe kanë konstatuar vonesa në punë, dhe sipas kësaj do ndërmerren edhe masat. Fillimisht kompanisë i është lëshuar vërejtje verbale ndërsa tani edhe vërejtje me shkresë për mos vajtjen sipas dinamikës së punës. Nëse pas lëshimit të vërejtjes nuk ndërmerren masa do detyrohemi ta prishim kontratën”, deklaroi Besarta Ramadani, zëdhënëse e komunës së Tetovës.
Drejtuesi i Kompanisë “Anrra” që ndërton rrugën thotë se realizimi i projektit ka hasur në disa pengesa juridike të cilat, shpejtë duhet të tejkalohen dhe të vazhdojnë punimet. /Alsat.mk