Bllokimi i rrugëve nga transportuesit privatë, partitë akuzojnë njëra-tjetrën

Bllokimi i rrugëve nga transportuesit privatë, partitë akuzojnë njëra-tjetrën

Gazetare: Fatlume Dervishi

Në kulmin e kaosit në Qytetin e Shkupit për shkak të bllokimit të disa udhëkryqeve kryesore nga transportuesit privat, LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja përplasen se e cilës ane është Danella Asovska. VMRO-DPMNE-ja thotë se pagesa e transportuesve është ndërprerë për shkak se persona të caktuar të afërt me LSDM-në dhe Arsovskën negociojnë për provizione që do të përfundojnë në xhepa privat. Gjithashtu nga VMRO-DPMNE-ja hedhin dyshime se pushteti tashmë ka plan për shitjen e shërbimeve të transportuesve privat, tek një firmë bullgare.

“Pas largimit të transportuesve privat a qëndron dëshira që transportin në Shkup ta marrë firmë private nga Bullgaria për të cilën insiston qeveria e Kovaçevskit? A ka pasur marrëveshje në takimin mes Arsovskës dhe Kovaçevskit që kjo kompani nga një qytet afër Sofjes të jetë transportuesi i vetëm privat në Qytetin e Shkupit?”, deklaroi Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

LSDM-ja vlerëson se përgjegjës për kaosin në kryeqytet është kreu i VMRO-DPMNE-së që në zgjedhje mbështeti Arsovskën.

“Nëse sot nuk arritët në kontrollin mjekësor të caktuar prej më herët, nëse sot nuk arritët ta dërgoni fëmijën tuaj në çerdhe ose në shkollë, nëse sot nuk arritët në vendin tuaj të punës ose në fakultet dhe të bllokuar në trafik patë automjet të zjarrfikësve ose të ndihmës së shpejtë, kujtohuni se pas këtij kaosi qëndrojnë me emër dhe mbiemër. Ja një kujtim!”, tha Stefan Bogoev, zëdhënës i LSDM-së.

Nga kjo parti kërkojnë që bllokimi të hiqet menjëherë dhe qytetarëve t’u lejohet lëvizja e lirë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button