Boçvarski: 95% e buxhetit të Transportit, për ndërtimin e rrugëve dhe autostradave

Boçvarski: 95% e buxhetit të Transportit, për ndërtimin e rrugëve dhe autostradave

Gazetar: Adnan Qaili

Vendi ka disa rrugë që janë plotësisht të amortizuara, madje edhe autostrada që kanë nevojë urgjente të rehabilitohen. Derisa shumë prej tyre akoma kanë mbetur projekte në letër, nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve thonë se 95% e buxhetit të tyre për vitin e ri janë paraparë për investime infrastrukturore.
Ministri Bllagoj Boçvarski renditi investimet e ardhshme duke theksuar se më së shumti realizohen me financat nga “vjelja” e taksës rrugore në pikat pagesore, të cilat për momentin do të mbeten të njëjta.

“244 milion euro nga buxheti i Ministrisë janë destinuar për ndërtimin e Korridorit 8 dhe Korridorit 10. Gjithsesi, në mënyrë plotësuese kontribuon Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore me buxhetin e saj. Kemi planifikuar mjete edhe për ndërtimin e rrugëve lokale, rreth 6 milionë euro, të cilat do të vihen në dispozicion për komunat. Në Korridorin 8, me prioritet janë akset Tetovë-Gostivar-Kërçovë, Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë. Dhe në Korridorin 10 aksi Prilep-Manastir dhe aksi Shkup-Bllacë që është me rëndësi të veçantë për shtetin për t’u ndërtuar, si rrjedhojë presim që gjatë vitit të ardhshëm të shpallet tenderi për segmentin e dytë për Shkup-Bllacë”, tha Bllagoj Boçvarski, Ministër i transportit dhe lidhjeve.

Ai theksoi edhe investimin në autostradën Shtip-Koçan, i cila duhet të hapet deri në fund të vitit. Kurse, për autostradën Shkup-Kumanovë, janë në shqyrtim të mundësisë për rehabilitimin e plotë të saj.
Sivjet deri në gjysmën e dhjetorit është arritur mbledhje rekorde nga pikë pagesat prej 50 milion euro.

“Aktualisht, investojmë më tepër në infrastrukturën rrugore sesa ajo që mbledh Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore, vetëm në Korridorin 8, aksi Kërçovë-Ohër ka kushtuar 600 milionë euro, për atë duhet të sigurohen mjete shtesë. Për autostradën Gradsko-Prilep mbi 50 milionë euro, në drejtimin rrugor të Qafës së Pletvarit e cila është përfunduar është mbi 5 milionë euro dhe 64 milionë euro në autostradën e Shtipit në Radovish, e cila përfundoi edhe këtë vit”, u shpreh Bllagoj Boçvarski, Ministër i transportit dhe lidhjeve.

Plani për vitin e ardhshëm është hapja e ndërtimit të mbi 120 kilometra autostrada të reja nëse arrihet marrëveshje me kompaninë Bechtel. Kjo do të thotë se shteti duhet të ndjekë dinamikën e ndërtimit të infrastrukturës rrugore sepse kryqëzohen dy akse të rëndësishme rrugore, Korridori 10 dhe Korridori 8. Tashmë vendi mori mbështetje nga BE-ja për Korridorin 8, i cili vetëm pak javë më parë ishte përfshirë në hartën e korridoreve kryesore, ndërsa deri atëherë ishte i lënë në harresë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button