Bogojeski largohet nga posti i drejtorit në Agjencinë Kombëtare, thotë se ka marrëveshje për ta udhëhequr një institucion tjetër
Bogojeski largohet nga posti i drejtorit në Agjencinë Kombëtare, thotë se ka marrëveshje për ta udhëhequr një institucion tjetër
Gazetare: Fatlume Dervishi
Petar Bogojeski nuk do të jetë më drejtor i Agjencisë Nacionale për Programe Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmëri. Këtë e bëri të ditur vetë ai në rrjetet sociale, pas takimit që ka pasur një ditë më parë me kryeministrin Hristijan Mickoski. Bogojevski njofton se do të drejtojë institucion tjetër, pa treguar se cilin.
Kreu i Konceptit Maqedonas u zgjodh në krye të Agjencisë që merret me programet “Erasmus” në muajin prill nga Bordi drejtues i Agjencisë. Pas reagimeve të shumta në opinion qeveria mohoi të ketë pasur gisht në zgjedhjen e tij dhe nuk shihte asgjë kontestuese në punën e tij. Ministrja e Arsimit Janevska madje tha se do ta monitorojë punën e tij tani e tutje.
Për Bogojeskin është raportuar shpesh. Ai njihet për gjuhën e tij diskriminuese dhe të urrejtjes kryesisht ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj grave, komunitetit LGBT dhe kategorive të margjinalizuara.
Në kohën e zgjedhjes së tij, Alsat kërkoi sqarime nga Komisioni Evropian se a ka pasur gisht në zgjedhjen e tij, a është informuar dhe si mund të tolerohet zgjedhja e një personi të tillë në krye të një institucioni që duhet të ruaj vlerat evropiane të tolerancës dhe diverzitetit. Në këtë kërkesë u citua saktë Bogojeski në disa prononcime që kishin ngjallur disa herë zemërim.
Nga Komisioni Evropian thanë se janë të njoftuar me shqetësimet publike në lidhje me zgjedhjen e Petar Bogojeskit në krye të Agjencisë dhe do të flasin për këtë me ministren e Arsimit. Ata për Alsat thanë se ata nuk kanë qenë të përfshirë në zgjedhjen e Bogojeskit dhe procesin e nominimit.
“Meqenëse presim që Drejtori i Agjencisë Nacionale që menaxhon një program kyç të BE-së të jetë në nivel të vlerave themelore të BE-së, që nënkupton respektim të dinjitetit dhe të drejtave të njeriut, lirinë, demokracinë, barazinë dhe sundimin e ligjit, presim që ta diskutojmë këtë çështje me Ministren e Arsimit”, thanë muaj më parë nga Komisioni Evropian.
Por Bogojeski përfaqëson pikërisht të kundërtën. Ai, mes tjerash, i ka quajtur shqiptarët kafshë të Enver Hoxhës, ka thënë se nuk janë të mirë për asgjë, ka thënë se kultura maqedonase është aq superiore sa edhe shqiptarët duan të jenë maqedonas, se shqiptarët direkt e shkatërrojnë NATO-n dhe rrezikojnë të ardhmen e vendit në BE.
Kundër emërimit të Bogojeskit ishin edhe nga Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe Forumi për Ndryshime në Arsim./ Alsat.mk








