Kosova për herë të parë sot ka pasur të drejtën e fjalës në Asamblenë e Këshillit të Evropës

Kosova për herë të parë sot ka pasur të drejtën e fjalës në Asamblenë e Këshillit të Evropës

Kosova për herë të parë sot ka pasur të drejtën e fjalës në Asamblenë e Këshillit të Evropës. Fjalimi i parë i Kosovës në këtë institucion është pritur me duartrokitje, derisa nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, ka folur në emër të shtetit, i cili në maj të këtij viti ka aplikuar të bëhet anëtar në këtë mekanizëm evropian. Gjatë fjalimit, Bogujevci ka shprehur mbështetje për Ukrainën, ndërsa përfaqësuesi ukrainas kërkoi që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës

“Sot ne po ballafaqohemi me një brengë më të gjerë sesa regjioni ynë. Tani po ballafaqohemi me një luftë të ashpër, sot po përpiqemi për demokracinë, pra sot s’po flasim vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për të ardhmen e Evropës. Ne si Kosovë dhe të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimorë janë Evropë dhe s’mund të ketë të ardhme tjetër për ne veçse të jemi pjesë e familjes evropiane. Pasi që është hera e parë që ju drejtohem në këtë mbledhje plenare, do të doja t’u them kolegëve të mi ukrainas dhe gjithashtu popullit të Ukrainës se mendimet, zemrat tona dhe lutjet tona janë me ju. Ne e dimë shumë mirë se çfarë po kaloni. Unë vetë jam e mbijetuar e një masakre gjatë luftës në Kosovë. Ne do të jemi gjithmonë me ju në këtë luftë. Shpresojmë që së shpejti kjo luftë e tmerrshme të marrë fund dhe drejtësia të triumfojë. Lavdi Ukrainës”, tha Saranda Bogujevci, Nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.

“Dua ta them këtë veçanërisht për Kosovën. Kosova duhet të njihet nga të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës. Aktualisht, 12 vende anëtare nuk e kanë njohur dhe po ju adresohem juve. Ju lutem njiheni këtë vend si vend të pavarur, ashtu siç kanë luftuar për këtë gjë, për të ardhmen e tyre për pavarësinë e tyre. Ata duhet të ulen këtu së bashku me neve, ata duhet të jenë pjesë e Këshillit të Evropës, vetëm kështu, ne mund të jemi më të fuqishëm dhe ky vend gjithashtu do të lulëzojë. Unë kam sponzorizuar projektligjin në Parlamentin e Ukrainës që ta mbështesim dhe pranojmë pavarësinë e Kosovës dhe ne të gjithë duhet ta bëjmë këtë dhe bashkërisht të lëvizim përpara. Kosova është Evropë”, u shpreh Oleksiy Goncharenko, Përfaqësues i Ukrainës

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button