​Borrell dënon agresionin barbar rus në Ukrainë

Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell dënoi sot agresionin barbar të presidentit rus Vladimir Putin kundër popullit të Ukrainës, duke konfirmuar se Brukseli ka hartuar valën e katërt të sanksioneve kundër Moskës.

Borrell ndodhet në Shkup si pjesë e turneut në Ballkanin Perëndimor për të riafirmuar angazhimin e Brukselit ndaj perspektivës evropiane të rajonit, në një kohë kur agresioni rus ndaj Ukrainës kërcënon të gjithë kontinentin evropian.

“Vizita ime vjen në kontekstin e agresionit barbar të Putin-it kundër popullit ukrainas. Forcat ruse vazhdojnë të kryejnë sulme ajrore dhe artilerie, duke synuar civilët, fqinjët paqësorë”, tha Borrell në një konferencë shtypi.

Ai tha se lufta e Putin-it nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën, por me sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë kontinentit evropian.

“Kjo na shqetëson të gjithëve”, theksoi ai duke shtuar se Brukseli duhet të forcojë procesin e zgjerimit dhe të lidhë Ballkanin Perëndimor fuqishëm me BE-në.

Serbia e Mali i Zi ka vite që negocion anëtarësimin në BE dhe pavarësisht dritës jeshile nga Brukseli, negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ende nuk kanë filluar.

“Ne duhet të fillojmë negociatat formale të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Borrell.

Ndryshe, Borrell do të vizitojë nesër Shqipërinë, ndërsa një ditë më vonë do të qëndrojë për vizitë në Bosnje e Hercegovinë.

LEXO EDHE:

Back to top button