Borrell: Serbia ta tërheqë ushtrinë nga kufiri me Kosovën

Borrell: Serbia ta tërheqë ushtrinë nga kufiri me Kosovën

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Borrell, i bëri thirrje Serbisë ta ndalë menjëherë zhvendosjen e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosur deri tani.

“Grumbullimi ushtarak i Serbisë në afërsi të linjës administrative kufitare është shumë shqetësuese. Kjo duhet të ndalet menjëherë.  Nuk ka vend për grumbullim të ushtrisë dhe forcave të sigurisë në kontinentin e Europës. Forcat duhet të tërhiqen”, deklaroi Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme.

Shefi i diplomacisë së BE-së tha për disa media ndërkombëtare se blloku është duke diskutuar me partnerët dhe aleatët e vet për gjendjen e tanishme në veri të Kosovës, ku sasia e armatimit të gjetur nga Policia e Kosovës “është shumë serioze”.

Të premten, edhe Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre “zhvillim shumë destabilizues”.

Borell pret që përgjegjësit për sulmin e 24 shtatorit të ndëshkohen dhe Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut.

“Duhet të kthehemi prapa në situatën në të cilën palët bisedojnë dhe të kthehemi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja i cili është e vetmja platformë për normalizimin e raporteve mes tyre“, shtoi Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme.

Sulmi ndodhi rreth dy javë pasi Kurti dhe Vuçiqi dështuan të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve gjatë takimit të nivelit të lartë të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimit Evropian më 14 shtator në Bruksel. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button