Bota në pritje të realizimit të premtimit të Donald Trump për ndërprerjen e luftës Rusi-Ukrainë

Bota në pritje të realizimit të premtimit të Donald Trump për ndërprerjen e luftës Rusi-Ukrainë

Gazetare: Xhesika Sallahi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp është zotuar të jetë paqe bërës dhe ta ndalojë konfliktin 3 vjeçar mes Rusisë dhe Ukrainës. Por ende nuk dihet si Tramp planifikon ta arrijë këtë qëllim. Tramp vazhdimisht ka “kërcënuar” Moskën për sanksione shtesë mbi ekonominë ruse, në rast se nuk e ndal pushtimin e Ukrainës. Në ditën e parë pas marrjes së mandatit të ri, Tramp tha se Putini po e “shkatërron” Rusinë duke mos pranuar të bëjë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës. Pas komenteve të Tramp, zëdhënësi i presidentit rus Putin, Dmitri Peskov, tha se janë të gatshëm për një dialog reciprokisht respektues.

“Ne nuk shohim ndonjë element të ri këtu. Ne po vëzhgojmë me shumë vëmendje të gjithë retorikën dhe të gjitha deklaratat. Ne i shohim me kujdes të gjitha nuancat, mbetemi gati për dialog. Presidenti Putin ka folur vazhdimisht për këtë, për një dialog të barabartë, për një dialog reciprokisht respektues. Dhe po presim sinjale që nuk i kemi marrë ende”, deklaroi Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit Putin.

Nga ana tjetër, për evropianët, qasja tregtare e Trampit ndaj diplomacisë, ka nxitur frikë se ai mund të bëjë një marrëveshje me presidentin rus, Vlladimir Putin, në kushte të pavolitshme për Ukrainën. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha se një fitore e Rusisë kundër Ukrainës do ta minonte fuqinë e NATO-s dhe do t’i kushtonte asaj trilionë euro për ta rikthyer besueshmërinë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, ka thënë se sanksionet, por edhe heqja e tyre mund të bëhen pjesë e diskutimeve për përfundimin e luftës gati trevjeçare. Sipas tij si Rusia, ashtu edhe Ukraina duhet të bëjnë “lëshime” për të arritur një marrëveshje për paqe. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button