Branitellat/ E majta kallëzim penal ndaj Gashit – LSDM: Do të vendosim për hapat e ardhshëm
Branitellat/ E majta kallëzim penal ndaj Gashit – LSDM: Do të vendosim për hapat e ardhshëm

Gazetare: Fatlume Dervishi
E Majta ka dorëzuar kallëzim penal ndaj kreut të Kuvendit Afrim Gashi për mosveprim në lidhje me Ligjin për Branitellat. Sipas tyre, Rregullorja e detyron Gashin si kryetar i Kuvendit të thirr seancë në rast se këtë nuk e bën kryetarja e komisionit për punë sociale. Ata thonë se Gashi bën vepër penale ndaj detyrës zyrtare.
“Është detyrim i kryetarit të Kuvendit ta zhbllokojë procedurën e ligjit. Kryetari i Kuvendit është ai që duhet të thirr seancën dhe të caktojë një anëtar që do ta drejtojë seancën e atij komisioni. Por kryetari i Kuvendit Afrim Gashi që para një muaji ka thënë për mediat se ai nuk e ka në plan ta zhbllokojë ligjin dhe të thirr komision dhe deri më sot ajo seancën nuk është thirrur”, tha Sashko Jançev, E Majta.
Deri tani, nga kabineti i kryeparlamentarit Gashi nuk ka asnjë përgjigje. E Majta më herët ka pasur edhe interpelancë ndaj tij, e cila nuk kaloi.
Ligji për branitellat është dorëzuar në korrik dhe u fut në rend dite në shtator megjithatë nuk u procedua më tej në Komisionin për punë sociale nga kryetarja e Komisionit Ilire Dauti. Kreu i Kuvendit Afrim Gashi pretendon ai nuk ka të drejtë të thirr seancë të komisionit sepse një seancë ku mund të vendosej në rend dite ligji tashmë është e hapur. LSDM-ja kishte kërkuar që Komisioni për çështje të mandatit dhe imunitetit të debatojë për përgjegjësinë e Gashit në këtë rast, megjithatë, deri tani komisioni nuk është mbledhur. Tani, socialdemokratët nuk zbardhin planin e tyre të ardhshëm në këtë rast dhe nuk kanë koment për kallëzimin penal të dorëzuar nga E Majta.
“Dje kemi pasur koordinim me grupin parlamentar të LSDM-së dhe kemi diskutuar edhe për hapat e ardhshëm sa i takon ligjit për Branitellat. Në periudhën e ardhshme do të dalim publikisht me veprimet që do të ndërmarrim”, u shpreh Jovana Trençevska, LSDM.
VLEN thotë se përfitimet për branitellat janë miratuar në periudhën e qeverisjes së BDI-së, kurse ata nuk do të lejojnë miratimin e ndryshimeve që për momentin janë në procedurë.
“Ligji për branitellat është në funksion sepse e ka bërë Ali Ahmeti. Ndryshimi që tani thuhet nuk do të kalojë”, theksoi Zeqirija Ibrahimi, VLEN, kryetar i Alternativës.
Propozim-Ligji për “branitellat” dhe familjet e tyre parashikon rritje të vlerës së kompensimit në bazë të shkallës së invaliditetit nga 1.200 euro maksimumi si vlerë mujorë, në 82 mijë euro nëse shkalla e invaliditetit është 100 për qind, si kompensim të njëhershëm. Propozimi që është në Kuvend përfshin forcat e sigurisë nga viti 1991 deri në vitin 2024. VLEN nuk pajtohet me idenë që kompensim nuk parashikohet edhe për ish pjesëtarët e UÇK-së. / Alsat.mk