Brazil/ Fëmija 2-vjeçar i rrëmben armën babait dhe vret aksidentalisht nënën
Brazil/ Fëmija 2-vjeçar i rrëmben armën babait dhe vret aksidentalisht nënën

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Rio Verde de Mato Grosso, Brazil, ku një fëmijë 2-vjeçar qëlloi dhe vrau aksidentalisht nënën e tij 27-vjeçare me armën e zjarrit të babait të tij.
Sipas CNN, momenti është kapur nga një kamerë sigurie. Në pamje, vogëlushi shihet teksa merr një armë ‘Glock 9 mm’ nga tavolina dhe e shqyrton për disa sekonda. Në çastin kur nëna i drejton shikimin, ai tërheq këmbëzën dhe e qëllon.
Çifti dukej i përqendruar në bisedën e tyre dhe nuk vërejtën fëmijën që kishte marrë armën, derisa ishte tepër vonë. Deborah Rodriguez Monteiro, 27 vjeç, u qëllua në gjoks dhe në krah.
Bashkëshorti i saj, Daniel Felismino ndërhyri menjëherë, mori armën dhe tentoi ta ndihmonte, por ajo nuk arriti të mbijetonte. Viktima u dërgua në spital, ku u konfirmua vdekja.
Sipas autoriteteve, babai i fëmijës, i cili punon si fermer, kishte leje për armëmbajtje.
Ai pritet të përballet me akuza për vrasje të paqëllimshme, por aktualisht ndodhet i lirë.
Ndërkohë, autoritetet po vlerësojnë gjendjen psikologjike dhe mirëqenien e fëmijës, për të vendosur nëse rasti duhet t’i referohet Shërbimit për Mbrojtjen e Fëmijëve.