Brazilianët fajësojnë presidentin për krizën me pandeminë

Nëpër rrugët e Brazilit është protestuar ndaj menaxhimit të pandemisë nga Qeveria e presidentit Jair Bolsonaro.

Në kryeqytetin Brasilia, mijëra persona janë mbledhur para Kongresit më 29 maj, duke bërë thirrje për shkarkim të presidentit, si dhe kanë kërkuar sigurim të më shumë vaksinave.

Protestat janë mbajtur në një mori qytetesh, përfshirë Rio de Zhaneiron.

Popullariteti i Bolsonaros ka rënë gjatë periudhës së pandemisë, për shkak të menaxhimit që i ka bërë ai situatës.

Brazili ka regjistruar gati 460,000 viktima me koronavirus – shifra e dytë më e lartë pas Shteteve të Bashkuara.

Ky vend është i treti në listë sa i përket numrit të të infektuarve, 16 milionë.

Protestat e së shtunës kanë rritur presionin ndaj Bolsonaros, ndërkohë që Senati në Brazil po kryen hetime për menaxhimin e pandemisë nga ana e qeverisë, si dhe për programin e vaksinimit.

Partitë opozitare, sindikatat dhe lëvizjet shoqërore akuzojnë Bolsonaron për ngecje të programit dhe mospërfillje të pasojave.

Deri më tani, vetëm 10 për qind e popullsisë së rritur në Brazil është vaksinuar plotësisht kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi.

LEXO EDHE:

Back to top button