Brenda javësh mund të arrihet një armëpushim në Ukrainë, paralajmërimi vjen pas takimit Tramp-Makron
Brenda javësh mund të arrihet një armëpushim në Ukrainë, paralajmërimi vjen pas takimit Tramp-Makron

Një armëpushim midis Ukrainës dhe Rusisë mund të arrihet në javët e ardhshme. Presidenti amerikan, Donald Trump pas takimit me presidentin francez Emanuel Makron në Uashington tha se fokusi për momentin është arritja e një armëpushimi sa më shpejt të jetë e mundur, dhe në fund të fundit një paqeje të përhershme.
“Qëllimi i takimit tonë sot është t’i japim fund një beteje tjetër, të tmerrshme, diçka që nuk e kemi parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Është koha për të rivendosur paqen dhe mendoj se ne do ta arrijmë shumë shpejt këtë. Që nga kthimi im në Shtëpinë e Bardhë, ne kemi bërë më shumë përparim drejt këtij qëllimi në një muaj sesa në tre vitet e fundit”, deklaroi Donald Tramp, president i SHBA-së.
Makron tha se ai dhe Tramp bënë “hapa thelbësorë përpara” gjatë takimit, duke theksuar dëshirën e tyre të përbashkët për të arritur marrëveshje paqeje, por duke paralajmëruar se kjo nuk do të ndodhë duke detyruar Ukrainën të dorëzohet.
“Kjo paqe nuk duhet të nënkuptojë një dorëzim të Ukrainës. Nuk duhet të nënkuptojë një armëpushim pa garanci. Kjo paqe duhet të lejojë sovranitetin ukrainas dhe të lejojë Ukrainën të negociojë me palët e tjera”, tha Emanuel Makron, president i Francës.
Tramp tha gjithashtu se presidenti rus Putin është i gatshëm të pranojë paqeruajtës evropianë në Ukrainë. Macron tha se shtetet evropiane “janë gati dhe kanë vullnet që t’i ofrojnë” Ukrainës garanci të sigurisë “që mund të përfshijnë trupa” duke shtuar se këto trupa që do të dërgoheshin në Ukrainë do të ruanin paqen dhe nuk do të dislokoheshin përgjatë vijës së frontit dhe nuk do të bëheshin pjesë e konfliktit.
“Të mos shkojmë në vijën e parë, të mos shkojmë në konfrontim, por të jemi në disa vende, të përcaktuara nga traktati, si një prani për të ruajtur këtë paqe dhe besueshmërinë tonë kolektive me mbështetjen e SHBA-së”, theksoi Emanuel Makron, president i Francës.
Tramp nuk përmendi garancitë e sigurisë, por tha se kostoja dhe barra e sigurimit të paqes në Ukrainë duhet të paguhet nga vendet evropiane dhe jo vetëm SHBA. Vizita e Macronit në Uashington u realizua në përvjetorin e tretë të pushtimit rus të Ukrainës dhe është udhëheqësi i parë evropian që takon Trampin që nga marrja e detyrës një muaj më parë. /Alsat.mk