Breshëri shkatërroi ekzistencën e bujqve, ata kërkojnë ndihmë nga shteti

Breshëri shkatërroi ekzistencën e bujqve, ata kërkojnë ndihmë nga shteti

“Këtu kam mbi 100 tonë shalqinj, është dëmi tepër i madh, presim një vit nga kjo të mbijetojmë”, u shpreh një bujk.

Për disa ditë shalqinjtë duhej t’i shisnin në treg, por vetëm për disa minuta breshëri shkatërroi gjithçka që Reshati me katër anëtarët e familjes kishte punuar.

“Arat i kemi me qira, shalqinjtë i mbollëm dhe para dy netëve na dëmtoi breshëri, këtu kishim shalqinj afër dy hektarë dhe është 100 % i dëmtuar. Shalqinjtë ishin të pjekur, dy ditë fillova të shes, pjesa tjetër mbeti në arë i prishur. Të punësuar nuk jemi, me katër anëtarë të familjes merremi me bujqësi, s’kemi ku të shkojmë, diku morëm edhe veresi dhe menduam të paguajmë me shalqinjtë kur të shesim por s’kemi ç’të bëjmë pasi erdhi nga Zoti”, tha Reshat Sejfullahu, bujk.

“Breshëri shkatërroi thuajse të gjitha kulturat bujqësore në fshatin Straçincë, ku banoret kanë të vetmen mënyrë për ekzistencë”, raporton Avni Tahir – gazetar.

“Afër 30 mije euro dëm ka. Dëm ka shumë, vetëm kjo dy hektarë që kemi janë afër 70 tonë shalqinj. E dëmtuar është 100 %, edhe duhanet i kemi të dëmtuar edhe domatet, 70 % i fshatit merremi me bujqësi dhe nuk kemi të ardhura nga askund tjetër, ne presim nga komuna apo nga shteti të na ndihmoje”, u shpreh Ismail Nuredini, bujk.

“Dëmi është shumë i madh, e pjepri për 15 ditë do të dilte në treg, ne pritem nga këto se tjera të ardhura nuk kemi, presim nga shteti të na ndihmoje. Ne merremi vetëm me bujqësi, duhan, shalqinj dhe pjepër”, theksoi Xhemail Nuredini, bujk.

Banorët e fshatit Stracinçë kërkojnë ndihmën e shtetit që së paku të mbulojnë shpenzimet e dëmeve të shkaktuara nga breshëri. Ndërsa, përveç dëmeve në të mbjellat bujqësore, breshëri dhe shiu i rrëmbyeshëm kanë shkaktuar edhe dëme të mëdha në automjetet dhe shtëpi. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button