Broni: “Do të eliminoj zhurmën dhe zërat e atyre që thonë se nuk duhet të jem këtu”

Për herë të parë në historinë e NBA, do të luajnë në një ekip babai dhe djali i tij. Kjo gjë do të ndodhë te skuadra e Los Anxhelos Lejkers, ku janë federuar legjendari LeBron Xhejms dhe djali i tij Broni. Ata kanë dalë para mediave në ditën e fillimit të fazës përgatitore dhe djaloshi 19-vjeçar ka folur i emocionuar.

 

“E ndjej se gjithçka është e fokusuar tek unë, shumë pyetje, por puna ime ende nuk ka filluar. Mundohem të jem si një sfungjer, të thith sa më shumë, të mësoj nga veteranët. Nuk e di se si mund të jem vetvetja me një baba të tillë, me atë hije të gjatë”, u shpreh anësori 19-vjeçar.

 

I pyetur në lidhje me faktin se do të luajë me babain e tij, Broni është i vetëdijshëm për sfidën e vështirë.

“Kritikat e tij janë si një lëndë djegëse, që do të më shërbejnë për të punuar edhe më shumë. Por është çmenduri të shoh babain tim këtu, duke luajtur pranë meje”.

 

Ai do të mbajë fanellën me numrin 9.

 

“I jam mirënjohës për mundësinë që po më jepet. Unë mundohem të jem ky që jam çdo ditë, një djalë i ri. Përpiqem të eliminoj zhurmën e sfondit përreth meje edhe zërat e atyre që thonë se nuk duhet të jem këtu. E di që duhet punë”, tha Broni Xhejms.

 

Ai u zgjidh i 55-ti në “draft”-in e kësaj vere nga skuadra e Los Anxhelos Lejkers. Për lojtarin e ri amerikan do të jetë e vështirë të kapërcejë hijen e babait të tij, LeBron James, shënuesit më të mirë të historisë së NBA. Gjithsesi, pritet që ata të jenë të dy në fushë në sfidën debutuese në NBA.

LEXO EDHE:

Back to top button