Bujqit e dëmtuar nga breshëri takojnë kreun e Komunës, kërkojnë kompensim të dëmit

Bujqit e dëmtuar nga breshëri takojnë kreun e Komunës, kërkojnë kompensim të dëmit

Gazetar: Avni Tahiri

Dëmet e shkaktuara nga breshëri në komunë të Gazibabës janë të shumta. Thuajse të gjitha kulturat bujqësore u shkatërruan nga breshëri dhe shiu i rrëmbyeshëm.

Produktet që bujqit prisnin t’i shesin në treg, mbetën të dëmtuar në arë ndërsa bujqit plot borxhe që bënë për shpenzimet. Bujqit kanë të vetmen shpresë vetëm kompensimet nga komuna e Gazibabës por edhe nga Ministria e Bujqësisë që t’u dalin në ndihmë.

“Ndihmë nga shteti kërkojmë së paku 50 apo 60% të na i mbulojë harxhimet, gjysmën e dëmit të na e paguajë, nuk themi 100% të na i paguajë, 50 apo 60 të paguajë. Këtu kam 30 mijë euro dëm e së paku 15 të marrim që të nisim punën se edhe shteti varet nga fshataret, nëse ne nuk mbjellim në mot, pjepër, domate apo shalqinj, çmimi do të jetë 100 denarë për kilogram”, u shpreh një bujk.

“Pritni nga komuna apo shteti ndihmë? Po presim diçka, kryetarin e komunës e kemi të mirë e ndoshta na ndihmon, por edhe nga Ministria e Bujqësisë presim, edhe ata duhet të interesohen sepse ato presin nga ne të prodhojmë”, tha një tjetër bujk.

“Kërkojmë nga komuna të na ndihmojnë që së paku në vitin e ardhshëm të mbjellim përsëri se nuk kemi ku shkojmë, të punësuar nuk jemi dhe nëse na ndihmojnë do të mund të mbjellim përsëri e nëse nuk na ndihmojnë ne nuk dimë çfarë të bëjmë”, theksoi një bujk.

Kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski, u bëri thirrje qytetarëve se që t’i paraqesin dëmet në arkivin e komunës.

”Ftoj bujqit nga komuna e Gazi Babës në periudhën prej datës 25.06 (e martë) deri më 01.07 (e hënë) në periudhën kohore nga ora 08:00-16:30 të paraqesin kërkesë në arkivin e komunës për konstatimin e dëmit dhe në fazën e dytë komisioni do të dalë për inspektim me qëllim të hartimit të procesverbalit dhe më pas dorëzimit të lëndëve në Komisionin për vlerësim dhe përcaktim të dëmeve nga fatkeqësitë natyrore pranë Qeverisë”, deklaroi Boban Stefkovski, kryetari i Komunës së Gazi Babës.

Për një ditë për dëme të te mbjellave bujqësore janë paraqitur rreth 50 bujq vetëm në Komunë të Gazibabës të cilët presin që të nisin procedurat për konstatimin e dëmit bujqësor. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button