Bujqit e Tetovës takojnë Ministrin e bujqësisë dhe Bilall Kasamin

Bujqit e Tetovës takojnë Ministrin e bujqësisë dhe Bilall Kasamin

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Ministri i bujqësisë Cvetan Tripunoski i shoqëruar edhe nga kreu i komunës së Tetovës Bilall Kasami, vizituan arat që ditë më parë u shkatërruan nga reshjet e rrëmbyeshme të shiut. Bujqve u premtuan dëmshpërblim.

“Gjithkush që ka do të mund ta dëshmojë të drejtën e pronësisë së tokës, qoftë edhe me qera por ta vërtetojë me kontratë për qiramarrje, nga shteti apo personi fizik, apo nëse ka fletë pronësi, që ta plotësoj Ligjin”, tha Cvetan Tripunoski, Ministër i bujqësisë.

“Në kuadër të komunës tashmë kemi marrë masa dhe nesër këshilli komunal do shpall gjendje krize dhe do dilet në terren për vlerësimin e dëmeve që janë bërë edhe në territorin e komunës nëpër amvisëri dhe ka dëmtuar pronat, por edhe në tokat bujqësore”, deklaroi Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.

Por bujqit thonë se problemi kryesor i tyre mbetet se për tokat që i punojnë nuk kanë kontrata me pronarët.

“Ne i marrim tokat me qera dhe shumica e tokave apo rreth 80 per qind une e kam me qera tokën, por nuk bëjnë kontrata se friksohen. I bëmë pyetje edhe kryetarit edhe ministrit po i ikin kësaj përgjigje. Çka mund të bëj Qeveria për këto bujq. Ne kërkojmë nga pronarët kontrata por na refuzojnë menjëherë, o merre o lere. Problemi tjetër është se ti e merr tokën dhe pastaj të pyet çka ke mbjell që ti merr vetë ai subvencionet. Ky është problemi jonë”, tha një bujk.

“Shteti duhet të qmerr parasysh se bujqit s`kanë kohë të merren me institucione se kanë punë në fushë. Duhet të bëhet dëmshpërblimi të paktën djersën që kemi derdhur se s`ka gjë nga kjo tokë më. 40 – 50 tonelata bostan është shkatërrua afër dhjetë mijë euro dëm ka, plus rreth 2000 euro ka investim te najloni plehrat e tjera”, u shpreh një bujk.

Për këto çështje, ministri i bujqësisë tha se do të diskutohet në mbledhjen e Qeverisë

“Nëse ka raste ndryshe siç dëgjuam nga të pranishmit, do mundohemi në fazën e dytë të i ndihmojmë. Unë sot nuk kam ndonjë përgjigje se si do bëhet por në Qeveri do bisedojmë gjithsesi që t`iu dalim në ndihmë qytetarëve”, tha një bujk.

Komuna e Tetovës, së shpejti pritet të nxjerr njoftimin se kur bujqit do të mund të kërkojnë komisionoin për vlerësimin e dëmeve dhe faktografimin e tyre, ndërsa më pastaj, dokumentacioni i grumbulluar, do ti dorëzohet qeverisë për dëmshpërblim të bujqve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button