Bujqit: Moti i ndryshueshëm po vonon zhvillimin normal të fruta-perimeve

Bujqit: Moti i ndryshueshëm po vonon zhvillimin normal të fruta-perimeve

Gazetare: Ajnur Bafqari

Kushtet klimatike me ndryshimin e madh të temperaturave brenda ditës po ndikon ndaj prodhimeve bujqësore…
Domatet duhej të ishin gati për treg, por tani duhet të presin të paktën edhe një muaj pasi kushtet klimatike e kanë vonuar zhvillimin normal të tyre.

Këto serra ndodhen në fshatin Krushopek dhe i përkasin familjes Zeqiri, të cilët kryesisht merren me kultivimin e domateve dhe trangujve, por kultivojnë edhe lakra, patate, qershi e kajsi.
Ridvan Zeqiri thotë se kushtet e motit i kanë prekur pothuajse të gjitha prodhimet e tyre.

“Kushtet e motit, ndikojnë edhe këtu, ndryshimet klimatike gjatë ditës, diell shi, ndikojnë domethënë, ja edhe vet siç e shihni, se ka ndikim, kjo gjethe nuk duhet të jetë në këtë formë, mirëpo shkaku i kushteve klimatike duhet më tepër stërpikje, prandaj është problem. Shkaku i kushteve klimatike edhe qershitë janë dëmtuar, edhe këtë vit pothuajse 50 për qind nuk janë, ajo pjesa që është dashur të kemi qershi. Sivjet kemi dëmtim plotësisht të kajsisë”, tha Ridvan Zeqiri, bujk.

Bujqit thonë se mungon përkrahja nga shteti, ndërsa mbijetesa pa subvencione, në këtë kohë krize është shumë e vështirë. Përveç kësaj, këtij rajoni i nevojitet një pikë grumbullimi mallrash më afër, pasi aktualisht po i dërgojnë produktet në tregun me shumicë dhe u mbetet një fitim shumë i vogël. Këto probleme siç tha Zeqiri, po shkaktojnë ikjen e banorëve të këtij fshati, duke nënvizuar se 90 për qind e tyre më herët janë marrë me bujqësi.

“Këtë e kemi trashëgimi pak edhe prej më të vjetërve, babë e gjysh janë marrë me këtë punë. Më herët gati 90 për qind të fshatit janë marrë vetëm me bujqësi, por tash falë bizneseve të tjera çdokush e ka gjet veten diku, merren edhe me biznese të tjera, domethënë një pjesë e fshatit merren me këtë biznes, me bujqësi…Tokën ja vlen me punu, po gjithçka është shtrenjtu kohën e fundit, fshati ynë ma herët nuk është marr me gurbet, është imponu kohën e fundit që të largohen nga fshati, kanë nis edhe te ne”, u shpreh Ridvan Zeqiri, bujk.

Në serrat e familjes Zeqiri është e vendosur edhe një koshere me bletë, të cilat nuk janë të zakonshme dhe nuk prodhojnë mjaltë. Këto bletë janë vendosur vetëm për të mbledhur nektarin dhe për të bartur polenin prej lule më lule, gjë që sipas bujqve ndikon në shumimin natyral të produkteve, të cilat i bën ato shumë bio. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button