Bujqit nuk korrën atë që mbollën!

Bujqit nuk korrën atë që mbollën!

Gazetar: Adnan Qaili

Kur merrni rrugë jashtë qyteteve, keni parë tokat djerrë? Ato nuk janë të shkreta as pa zot, por janë toka pjellore që në vendin tonë arrijnë rreth 600 mijë hektarë, por as gjysma e tyre nuk kultivohen nga bujqit. Në sezonin e korrjes së drithërave, bujqit janë të mbytur në shpenzime të shtuara që nuk i kishin llogarit gjatë mbjelljes, por në krizën aktuale ata thonë se me këtë rendimet 3 mijë ton/hektarë janë të humbur.

“Ndonëse filloi korrja e elbit në fushën e Llozovës, këtu në pjesën qendrore të vendit tonë, sipas bujqve llogaritë janë minimale ngaqë janë rritur shpenzimet e korrjes si dhe shpenzimet tjera”, raporton Adnan Qaili, gazetar.

Bujqit thonë aq para që marrin nga subvencionet duhet ti japin shtetit për qiranë e tokës. Me ndihmat që marrin për plehrat arrijnë të blejnë çerekun e tyre sa u duhet për tokën, ndërsa subvencionet për derivatet sivjet thonë se akoma nuk i kanë marrë. Ky agrar tha se bujqit janë në prag të falimentimit.

“Nga shteti marrim 10-12 mijë denarë për farën e një hektari, por mendoj se me këtë shtrenjtim duhet të rriten edhe subvencionet sepse ne shtetit i paguajmë edhe qiranë e tokës. Për koncesion paguhet nga 50, dikush 100 madje ka njerëz që paguajnë edhe nga 2-300 euro për hektar, kështu që me këto çmime vështirë është më të kultivohen drithërat. Përveç disa kulturave të posaçme bujqësore siç është misri, por duhet të funksionoj sistemi i ujitjes pa ndërprerë, ja konkretisht këtu sistemi ujitjes është i prishur”, u shpreh një bujk.

“Shpenzimet janë të larta jo vetëm të naftës, kemi edhe harxhime të tjera shtesë si vaji motorik, pjesë rezervë, servise si dhe defekte, nuk ka shumë fitim”, tha një tjetër bujk.

Për profesorin e Fakultetit të Bujqësisë, Zhivko Davçev, bujqësia si dega kryesore për të ushqyer popullin është lënë pas dore dhe varësia nga importi ka rritur çmimet enorme të prodhimeve ushqimore. Ai tha se shteti nuk ka agro-strategji afatgjate andaj prodhimet janë me rendiment të ulët dhe të kushtueshme.

“Ne jemi të varur nga importi sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë nga bujqësia! Ne japim subvencione disa vite për disa prodhimtari, nuk harxhohen, disa eksportohen por jo të gjitha. Shpesh herë janë hedhur në lumenj si qepa, preshi, madje edhe lakrat etj. Kjo do të thotë se nëse do bëhet një strategji afatgjate ne do të kemi bujqësi të siguruar ku produktet bazë do të prodhohen dhe do të plasohen sigurt në treg”, deklaroi Zhivko Davçev, Profesor në Fakultetin e Bujqësisë.

Sipas ekspertëve agrarë, populli ynë fle gjumë i uritur mbi pasurinë kombëtare të tokave pjellore për bujqësi dhe blegtori dhe pa e shfrytëzuar mrizon nën hije nga dielli që përshkon mbi 260 ditë të vitit.

Ata kritikojnë politikat e shtetit që kanë hequr doganën për prodhimet e importuara, duke mos u dhënë prioritet produkteve vendore dhe në këtë mënyrë shumë drithëra, fruta e perime përfundojnë në pleh. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button