“Buka që thyhet nuk ngjitet”, reagon Mexhiti pas takimit Mickoski-Taravari
“Buka që thyhet nuk ngjitet”, reagon Mexhiti pas takimit Mickoski-Taravari

Gazetare: Fatlume Dervishi
Zv.kryeministri Izet Mexhiti ka reaguar pas takimit të një dite më parë mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe kreut të ASH-së Arben Taravari. Duke aluduar në atë që Taravari ka shkelur besën dhe fjalën e dhënë, Mexhiti shkruan:
“Kur shkelet fjala e dhënë, është thyer buka. E buka që thyhet nuk ngjitet. As me takime të njëpasnjëshme, as me afate një mujore. Sepse besa nuk është thjesht një zotim; ajo është një garanci nderi, që në histori ka qenë më e fuqishme se çdo dokument ligjor”, tha Izet Mexhiti, zv.kryeministër .
Për VLEN, ashtu si për kryeministrin, është e patolerueshme që Taravari të qëndrojë në qeveri, nëse bën bashkëpunime me BDI-në. Sonte këtë çështje do ta diskutojnë edhe me kryeministrin.
“Ne nuk paragjykojmë qëndrimin e kryeministrit por si koalicion VLEN do të insistojmë deri në fund që çdokush që bashkëpunon me BDI-në në këto rrethana kur BDI është në lista të zeza, BDI është parti që duhet të japë llogari për korrupsionin e funksionarëve të lartë të saj, nuk mund të jetë i pranueshëm. Sonte kemi një takim me kryeministrin ku besojmë t’i sqarojmë edhe këto situata. Edhe një herë po them se nuk është e pranueshme dhe këtë e tha edhe kryeministri se nuk mundet të bashkëpunojë me një parti opozitare, në këtë rast me BDI-në dhe të vazhdojë të jetë në qeveri. Ne me kryeministrin duhet ta sqarojmë këtë situatë, qëndrim të cilin e kemi pasur të përbashkët sa i përket vazhdimit të të qëndruarit në qeveri”, tha Bilall Kasami, VLEN.
Një ditë më parë, takimi mes Mickoskit dhe Taravarit rezultoi pa epilog, mirëpo, burime nga qeveria thanë se ka shkuar në frymë konstruktive. Mickoski mësohet t’i ketë dhënë afat deri në fund të majit që Taravari t’i japë përgjigje pyetjes së madhe, a do të përcaktohet për bashkëpunim me BDI-në në zgjedhjet lokale, ose do të zgjedhë të vazhdojë të jetë pjesë e koalicionit qeveritar. Alsat mëson se në tryez nuk janë hedhur plane ose opsione të tjera shtesë, përveç këtyre të dyjave. Prononcime nga palët nuk pati pas takimit sepse kreu i ASH-së u fut dhe doli nga garazha e ndërtesës së ekzekutivit, duke shmangut mediat.
Kryeministri një ditëmë parë deklaroi se Taravari ka dy opsione, në qeveri për reforma dhe ndryshime ose me ata që për dy dekada kriminalizuan shtetin. Lojërat pas krahëve shihen dhe, sipas Mickoskit, këto lojëra shpesh bien në kokën e atij që i bën. Taravari po ashtu tha se nuk ka marrëveshje me BDI-në, dhe se kur të ketë, nuk do të synojë të jetë më pjesë e qeverisë./Alsat.mk