Burhan Fazlieviq, i huaj në shtetin e vet

Adrian Kerimi

Burhan Fazlieviq nga Kumanova nuk ka shtetësi. Për dallim prej tij, të gjithë anëtarët e tjerë të familjes posedojnë shtetësi dhe dokumente të Maqedonisë së Veriut. 38 vjeçari nga Kumanova i cili ka lindur dhe ka kryer shkollën në këtë qytet, tash e sa vite paraqitet si shtetas i huaj. Institucionet nuk i japin përgjigje konkrete pse është në statusin e apatritit dhe pse nuk mund të gëzojë shtetësi, shkruan Alsat.


“Jam pa shtetësi. Është hera e dytë që aplikoj. Ja ku kam edhe fletëpagesën, nuk kam asnjë përgjigjen. Nuk më përgjigjen për asnjë dokument. Krejt kanë: prindërit, motrat dhe vëllezërit. Të gjitha i kam plotësuar, janë pranuar por nuk kam asnjë përgjigje. Thonë se nuk ka asgjë këtu nuk kemi dokumente. Shumë vështirë”- thotë Burhan Fazlieviq.

Problemin e tij e ka adresuar edhe tek bartësit e funksioneve publike.

“Më duhet shtetësia, për atë po kërkoj ndihmë përmes televizionit. Kam kërkuar ndihmë nga BDI, Arbër Ademit, Nazim Bushit. E kam për martesë në Francë. I bëra 38 vite dhe mbeta pa martuar”- pohoi Burhan Fazlieviq.

Zëvendësministri i Brendshëm, Nazim Bushi tha se rasti është ne procedurë e sipër.

“Për Burhan Fazlieviqin nevojiten edhe disa kontrolle dhe mendoj që së shpejti do të ketë epilog pozitiv, përkatësisht javën që vjen vendimin për shtetësi do të ketë në sportel”- deklaroi Nazim Bushi, Zëvendësministër i Brendshëm.

Aktualisht sipas MPB-së  rreth 360 lëndë janë në procedurë e sipër nga personat të cilët kanë kërkuar të pajisjen me shtetësi në bazë të neni 7 të ligjit, përkatësisht personat të cilët deri në 8 shtator 1991 kanë jetuar në territorin e Republikës së Maqedonisë dhe të cilët kanë ofruar të paktën një nga dokumentet e nevojshme për ta konfirmuar këtë. 1375 kërkesa të tjera janë nga persona e shpërngulur dhe të cilët kërkojnë shtetësi. Nuk dihet numri i mendimeve pozitive.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button