Buxheti i Shkupit, përplas VMRO-në dhe LSDM-në

Buxheti i Shkupit, përplas VMRO-në dhe LSDM-në

Gazetar: Mefail Ismaili

Buxheti i Shkupit përplasi LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në. Një ditë pas miratimit të buxhetit, nga partia në pushtet e kanë akuzuar opozitën se vazhdon të bashkëpunojë me kryetaren e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska. Vasko Kiçevski nga LSDM thotë se derisa këshilltarët e saj ishin të përmbajtur për buxhetin, ai u mbështet nga VMRO-DPMNE dhe Levica.

“Këshilltarët e LSDM-së nuk e mbështetën buxhetin dhe ishin të përmbajtur, për shkak se nuk është o përkatës për nevojat e qytetarëve dhe problemet e shkupjanëve mbesin. U dëshmua ajo që e flisnim, u dëshmua e vërteta. Koalicioni i shumicës në Këshill është koalicion i Hristijan Mickovskit, Danella Arsovskës dhe Dimitar Apasievit”, tha Vasko Kiçevski, LSDM.

Me akuza të ashpra edhe nga VMRO-DPMNE, Naum Stoillkovski thotë se refuzimi i amendamenteve të VMRO-DPMNE-së dhe falënderimet e Arsovskës ndaj këshilltarëve të LSDM-së dhe Levicës ka dëshmuar koalicionin LSDM/BDI dhe Levica.

“Koalicioni LSDM/BDI dhe Levica qëndruan krahas shpenzimeve joproduktive të Danella Arsovskës dhe kundër projekteve me të cilat do të përmirësohet infrastruktura në qytet, qëndruan kundër parkingjeve, bulevardeve të reja dhe qarkoreve, kundër ndihmës së grupeve sociale të qytetarëve, qëndruan kundër investimeve kapitale sportive. Të bashkuar qëndruan pas shpenzimeve joproduktive”, u shpreh Naum Stoillkovski, VMRO-DPMNE.

Buxheti i Qytetit të Shkupit për vitin e ardhshëm do të jetë 114 milion euro. Nga qyteti i Shkupit thonë se Buxheti është zhvillimor, me komponentë sociale dhe masa përkatëse për amvisëri.

“Falë Këshillit të Qytetit të Shkupit dhe qasjes konstruktive të gjithë grupeve të këshilltarëve, qytetarët e Qytetit të Shkupit për vitin 2023 kanë diçka më shumë se 7 miliardë denarë për realizim të projekteve të cilat do të thonë plotësim i programit “Për Shkup modern”, njoftojnë nga Qyteti i Shkupit.

Këshilltarët e pushtetit dhe opozitës në Qytetin e Shkupit, akuzuan kryetaren Danella Arsovska se për herë të parë nuk e ka respektuar praktikën ku me Propozim Buxhetin, atyre u dorëzohen dhe prezantohen edhe projektet konkrete që parashikohen për tu realizuar. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button