Bytyçi: Shqyrtohet ngrirja e çmimeve edhe te disa produkte të tjera

Bytyçi: Shqyrtohet ngrirja e çmimeve edhe te disa produkte të tjera

Gazetar: Adnan Qaili

Qeveria është në pritje të analizave të reja të resorit ekonomik për ngrirjen eventuale të çmimeve të reja.

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi tha se ulja e çmimeve prej 10-15% e pastave dhe produkteve të qumështit nuk është në nivelet e duhura. Por, ai thotë se pas gjetjeve në treg do të shqyrtojnë mundësinë për ngrirje të sheqerit, vezëve, orizit e të tjera. Gjithsesi, mbeten të larta çmimet e industrisë së mishit dhe të fruta-perimeve. Për këto, Bytyqi pret që vet tregtarët i normalizojnë çmimet.

“Shumë e vogël është ulja e çmimeve por reagimet janë pozitive se më 16 mars do të kenë të gjithë çmimet më të lira, të definuar me vendimet e fundit. Kur të prodhoni sasi të caktuar, çmimin që keni definuar është pothuajse e njëjtë me çmimin e ngrirë, ju përpiqeni të lëvizni për 2-3 denarë por nuk do të rriten deri në 10 denarë. Gjithsesi nga e enjtja do të arrihen deri në çmimin që është ngrirë andaj nuk shikojmë se nuk ka vullnet nga ana tjetër”, deklaroi Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.

Pikërisht ky komoditet i prodhuesve është shqetësues për njohësit e çështjeve ekonomike. Profesori universitar Abil Baush tha se shteti jo vetëm që i ka të vonuara ngrirjet e çmimeve, por me këto vendime do të duhej t’i hiqte marzhat e TVSH-së për produktet ushqimore që janë 10% në tregun me pakicë. Ai thotë se me rënien e çmimeve të lëndës së parë dhe energjensave në bursat botërore, tani marzhat japin kundër efekt duke i mbajtur çmimet e larta në favor të tregtarëve, të cilat në tregun e lirë do të ishin shumë më të ulëta se sa çmimet e ngrira për prodhimet e bukës, produkteve të qumështit, dhe të tjera.

“Mos të harrojmë se shteti i dha 700 milion euro para publike nga pandemia e deri më tani dhe vetëm 50 milion euro ishin direkt për qytetarët. Të tjerat kaluan te operatorët ekonomik duke mbajtur kondicionin e biznesit. Nëse nuk ka pasur efekt për këto para që janë ndarë te privati përmes subvencioneve, parave direkte, ndihmave për karburantet dhe energjinë elektrike, atëherë këtu ka diçka që nuk shkon dhe duhet të bëj ndryshe shteti, situata është ndryshe se përse nuk zbresin çmimet”, tha Abil Baushi, Analist ekonomik.

Të enjten pritet të hynë në fuqi dy vendimet e reja të Qeverisë për ngrirje të çmimeve të pastave dhe të disa prodhimeve të qumështit që nga 16 marsi. Makaronat dhe shpagetit, do të kenë 15% çmime më të ulëta duke u ngrirë çmimet, meqë tani janë të liruara plotësisht nga dogana. Ndërsa, disa prodhime të qumështit do të kenë çmimet e ngrira 10% më të lira. Deri më tani po zbatohet ngrirja në 33 denarë e çmimit të bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë. Të gjitha këto tri vendime do vazhdojnë deri 31 Maj. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button