Çabi Alonso: Atalanta është një kundërshtar shumë i vështirë

Në një intervistë të dhënë së fundmi për mediat, trajneri i Bajer Leverkuzenit është pyetur në veçanti për finalen e Ligës Europa, kundër Atalanta-s. Si fillim ai u shpreh se i gjithë fokusi i tyre është te finalja, ndërsa shtoi se janë shumë të motivuar.
“Mendoj mbi të gjitha për finalen, fokusi ynë është i përqendruar aty dhe jemi duke u përgatitur mirë për ndeshjen. Kemi një javë shumë emocionuese përpara dhe jemi shumë të motivuar”, deklaroi Alonso.
Më tej, i pyetur për Atalanta-n, kreu i stolit të Leverkuzenit shtoi se për të është një ekip unik dhe shumë i vështirë për t’u përballur në finale.
“Unë mendoj se është një ekip unik për momentin, ata kanë të njëjtin trajner për shumë vite, ashtu si lojtarët. Ata kanë një ide shumë të qartë se si të luajnë futboll, është ekip i zhvilluar me kalimin e viteve. Ka shumë gjëra për të mësuar për ta, për t’i analizuar, për t’i studiuar nuk janë rivalë të rehatshëm për në finale,” shtoi Alonso.