Çabi Alonso: Renditja nuk ka rëndësi tani, por në fund të sezonit

Viti 2024 ka për t’u mbajtur mend gjatë nga tifozët e Bajer Leverkuzenit, që në maj fituan titullin kampion në Bundesliga me rekord. Skuadra fitoi edhe një Kupë të Gjermanisë dhe Superkupë, por humbi finalen e Ligës Europa.
Gjithsesi, për trajnerin Çabi Alonso ky mbetet një vit fantastik, teksa edhe këtë sezon skuadra është vetëm 4 pikë pas Bajern Munihut në renditje. Trajneri iberik nuk dëshiron të ndalet.
“Pas pushimit do të kthehemi me ritëm të plotë. Jemi në rrugën e duhur dhe kemi të gjithë një ndjesi positive. Nuk e konsiderojmë veten si pretendentë të dorës së dytë në garën për titull, pasi jemi kampionët në fuqi. Gjithsesi, jemi ende në dhjetor”, tha Çabi Alonso.
“Është ende herët dhe duhet të vazhdojmë të jemi të përulur. Renditja nuk është e rëndësishme për momentin, ajo ka rëndësi në fund,“ tha trajneri spanjoll për “Kicker”, që po shijon disa ditë pushimi me familjen.