Caktohet dorëzania në vlerë 750 mijë dollarë për të dyshuarin për vrasjen e Tupacut

Caktohet dorëzania në vlerë 750 mijë dollarë për të dyshuarin për vrasjen e Tupacut

Ish-lideri i një bande, i cili dyshohet për vrasjen e legjendës së muzikës hip-hop Tupac Shakur, mund të lirohet për në arrest shtëpiak nëse paguan dorëzani në vlerë 750 mijë dollarë, raporton “BBC”.

Gjykimi ndaj Duane “Keffe D” Davis pritet të nisë në qershor.

Gjykatësja e Gjykatës së Clark Countyt, Carli Kierny, të martën ka caktuar dorëzani në vlerë 750 mijë dollarë për Davisin.

Davis 60-vjeçar u arrestua në shtator për vrasjen e Tupac Shakurit. Shakur ishte 25-vjeçar kur u qëllua për vdekje në Las Vegas në vitin 1996.

Davis është deklaruar i pafajshëm.

Gjatë seancës të së martës, avokatët e Davisit thanë se ai duhet të lirohet pasi është gjysh dhe nuk ka dëshmi se mund të ikë. Po ashtu përmendën shëndetin jo të mirë të Davisit, i cili po lufton me kancerin.

Avokatët e tij kërkuan që dorëzania të sillet rreth 100 mijë dollarë.

Prokurorët në anën tjetër thanë se Davis përbën rrezik për publikun.

Gjykatësja Kierny, tha se ndonëse Davis nuk ka tentuar të ikë, koha që kishte kaluar si lider i një bande, ka ndikuar që çmimi i dorëzanisë të jetë më i lartë.

“Ka shumë njerëz që ende kanë frikë nga ai”, tha Kierny.

Davis akuzohet se më 7 shtator të vitit 1996, planifikoi vrasjen e Tupac Shakurit së bashku me nipin e tij Orlando Anderson, pas një konfrontimi që kishin pasur në kazino.

Ishte publikuar një video ku disa burra shihen duke shkelmuar e grushtuar Andersonin.

Kjo rrahje dyshohet se çoi te vrasja e Tupac Shakurit.

Policia po ashtu ka thënë se Davis ka marrë armën nga një bashkëpunëtor, ndërsa ka cituar edhe deklaratat që kishte dhënë Davis për media më herët, ku tha se ishte në veturën nga ky u shtie me armë.

Tre burra që ishin në veturë me Davisin në atë moment të sulmit, përfshirë edhe nipi i tij, kanë vdekur.

Arrestimi i Davisit 27 vjet pas vrasjes erdhi pasi që policia bastisi shtëpinë e tij dhe gjeti materiale që ndërlidhin atë me vrasjen. Ndonëse Davis akuzohet për planifikim të vrasjes, autoritetet nuk kanë thënë se cili ka shtënë.

LEXO EDHE:

Back to top button