Çavi: Dua të drejtojë një ekip në Premier Ligën e Anglisë

Pas largimit nga Barcelona një vit më parë (maj 2024), Çavi nuk është rikthyer ende në stol, por idetë e tij për të ardhmen janë të qarta.
Në një intervistë për “The Athletic”, ish-mesfushori dhe trajneri “blaugrana” zbuloi dëshirën e tij për t’u transferuar në Premier Ligë , duke lavdëruar mjedisin dhe vizionin afatgjatë të klubeve.
“Nuk jam me nxitim, por do të doja një projekt serioz, ku të më thonë: Ke katër vjet për të punuar dhe për të zhvilluar një ide. Do të doja të isha trajner në Premier Ligë, atje ka një pasion të vërtetë për futbollin. Megjithatë, në Spanjë ka rëndësi vetëm rezultati“, tha Çavi.
Trajneri spanjoll nënvizoi se sa e vështirë është të përballosh presionin në shtëpi, veçanërisht në vende si Barcelona apo Madridi.
“Vetëm shikoni se çfarë ndodh me Ançelotti, i kritikuar pavarësisht se ka fituar 30 tituj në dhjetë vjet. Siç tha Valverde: nëse e kritikojnë atë, çfarë shprese kemi ne të tjerët?“, deklaroi ai.
Gjithsesi, Çavi nuk përjashton një punë si trajner i një ekipi kombëtar në të ardhmen.
“Do të doja të isha trajner i një ekipi kombëtar. Kur ëndërroja të bëhesha trajner, imagjinoja të fitoja një Botëror apo një kampionat evropian. Pse jo të drejtoj Spanjën, por nuk kam obsesione. Tani për tani jam mirë kështu, shikoj shumë futboll dhe jam me familjen time”.