Çavi: Luajtën lojtarët me pak minuta në këmbë

Barcelona është gjithnjë e më pranë titullit në LaLiga teksa pas triumfit të së shtunës në transfertë ndaj Elçes me rezultatin 0-4, diferenca me Real Madridin ndjekës për momentin është 15 pikë. Pas ndeshjes, trajneri Xavi Hernandez ishte mjaft i lumtur me performancën e ekipit duke mbetur i kënaqur edhe me lojtarët si Ferran Tores apo Ansu Fati, të cilët në këtë sezon kanë marrë pak minuta.
“Ishte një mbrëmje shumë e mirë për Barçën, luajtëm në mënyrën e duhur nga fillimi deri në fund. Këtë herë në fushë zbriti një skuadër me disa lojtarë të cilët nuk kanë pasur mjaftueshëm minuta përgjatë sezonit dhe jam i lumtur sepse zhvilluan një ndeshje shumë të mirë. Më bëhet qejfi sepse jemi një skuadër që lufton për të mirën e përbashkët.
Tani jemi pranë objektivit, aktualisht jemi me 15 pikë avantazh. Jam i lumtur edhe për arsyen se pësuam shumë pak goditje gjatë ndeshjes, por edhe përgjatë sezonit e kemi treguar se jemi të fortë në mbrojtje. Pavarësisht se kush luan në fushë, ia dalim të paraqitemi mirë”, u shpreh Çavi.
Ndeshja e radhës për katalanasit është ajo e datës 10 prill në “Camp Nou” ndaj Xhironës.