Çavusoglu: Paralajmërimi i BE-së për sanksione, kontradiktor
Turqia tha sot se paralajmërimi i Bashkimit Europian rreth sanksioneve të reja në lidhje me mosmarrëveshjen e vazhdueshme për burimet e energjisë në Mesdhe, është kontradiktor.
“Pozicioni i BE shërben për të kënaqur palën greke”, tha ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij italian, Luigi Di Maio, në Romë.
Më herët sot, liderët e BE-së vendosën kundër sanksioneve të reja ndaj Turqisë, por paralajmëruan Ankaranë se masat ndëshkuese mund të futen menjëherë, nëse shkel ligjin ndërkombëtar me aktivitetet e saj të kërkimit të gazit në Mesdhe, të cilat kanë shkaktuar tensione me aleaten e NATO-s, Greqinë.
Çavusoglu shprehu, gjithashtu, zhgënjimin e tij që BE nuk ofroi hapa konkretë për përditësimin e një marrëveshjeje të përbashkët migrimi, marrëveshjen e tyre të bashkimit doganor ose liberalizimin e vizave.