Çellsi synon transferimin e Ter Stegen, konkurojnë edhe “Djajtë e Kuq”

Çellsi po shqyrton mundësinë e nënshkrimit me portierin e Barcelonës, Mark-Andre ter Stegen, ndërsa vazhdon kërkimi për një portier të ri titular. Klubi londinez kishte tentuar më parë të siguronte shërbimet e Majk Manjan nga Milani, por tashmë e ka zhvendosur vëmendjen te reprezentuesi gjerman.
Mediat angleze raportojnë se Çellsi ka kontaktuar Barcelonën për të pyetur mbi disponueshmërinë e Ter Stegen, dhe portieri po merret seriozisht në konsideratë nga departamenti i rekrutimit të klubit.
E ardhmja e Ter Stegen në “Kamp Nou” mbetet e pasigurt, veçanërisht pas nënshkrimit të fundit me Joan Garcia, i cili shihet si një zgjidhje afatgjatë për portën e Barcelonës.
Edhe Man. Junajted thuhet se ka bërë hapat e parë për të verifikuar situatën e Ter Stegen dhe mund të përfshihet në garë nëse vendos të veprojë sipas planeve të tij. Si Çellsi ashtu edhe Junajtedi e vlerësojnë përvojën, qetësinë nën presion dhe aftësitë e shpërndarjes së topit që Ter Stegen sjell, duke i parë ato si elementë të rëndësishëm për projektet e tyre të rindërtimit.
Barcelona është e gatshme të shqyrtojë një largim të mundshëm të portierit, por vetëm nëse merr një ofertë bindëse që do të ndihmonte klubin të ulë faturën e pagave dhe të lehtësonte situatën financiare.